Çitaku:Kosova duhet t`i dorëzojë deri më 15 shtatorin raportin KE-së
Ministrja e Integrimeve Evropiane në Kosovë Vlora Çitaku ka kërkuar nga kryetarët e komunave që deri më 15 shtator të këtij viti të arrihet të përpunohet raporti i gatishmërisë për procesin e liberalizimit të vizave dhe t`i dorëzohet Komisionit Evropian.
Ministrja Çitaku tha se ky dokument duhet t`i ofrojë KE-së informacione të hollësishme të gjendjes aktuale të legjislacionit, institucioneve përgjegjëse, kapacitetet njerëzore, të dhënave dhe statistikave tjera për katër blloqet e procesit të liberalizimit.
“Nga ne kërkohet që deri më 15 shtator të dorëzojmë te Komisioni Evropian raportin e gatishmërisë. Kjo datë nuk është larg janë më pak se dy muaj dhe kjo tregon se sa intensivisht duhet të punojmë ne në përmbushjen e detyrimeve tona”, theksoi Çitaku.
Ndërkohë, sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, tashmë janë disa nga kriteret për Kosovën krahas kushteve të tjera, si siguria e dokumenteve personale, menaxhimi i integruar i kufirit dhe ri-integrimi dhe riatdhesimi.
Kosova dhe qytetarët e saj aktualisht mbeten më të izoluarit në Evropë, sa i përket lirisë së lëvizjes, kurse një faktor që ka ndikuar në këtë aspekt ka qenë edhe frika e vendeve evropiane se nëse i heqin vizat për kosovarët, shumë të rinj do dynden drejt Evropës për strehim dhe punë, për shkak të kushteve të rënda ekonomike në vend.