E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çitaku në Budapest, kërkon udhërrëfyesin për vizat

Ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, është pritur në Budapest nga homologu i saj hungarez, Janos Martonyi. Çitaku e ka informuar ministrin hungarez për progresin në Kosovë në përmbushjen e të gjitha kushteve teknike për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
 

Ministrja Çitaku kërkoi nga Martonyi që Hungaria të mbështesë Kosovën në vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, si dhe e ftoi atë për një vizitë zyrtare në Kosovë.
 

Nga ana e tij, ministri hungarez theksoi se Kosova nuk duhet të vazhdoj të mbetet vendi i fundit i izoluar në Evropë. Ai e shprehu qartazi qëndrimin e qeverisë së Hungarisë se kosovarët janë evropianë, dhe si të tillë duhet të integrohen në Bashkimin Evropian. Martonyi po ashtu theksoi se Hungaria do ta mbështetë fuqishëm Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.
 

Gjatë vizitës në Hungari, Çitaku është takuar edhe me kryetarin e Komisionit parlamentar për çështje të BE-së, Richard Horcsik, dhe me sekretaren e shtetit për çështje të BE-së, ku mori mbështetje të fuqishme për Kosovën dhe inkurajim për të arriturat e prekshme të qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushjen e detyrimeve për hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›