E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimi i Nezirajt, nxitë reagime

Ndaj shkarkimit të Drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Jeton Neziraj, kanë reaguar edhe udhëheqës teatrorë të vendeve europiane, të cilët u kanë dërguar letra ministrit të kulturës, kryeministrit dhe kabinetit qeveritar, duke kërkuar nga ta rishikimin e këtij vendimi. Nga Alfred Beka më 21 gusht 2011 në ora 12:30

Artistë dhe drejtues organizatash që merren me teatrin kanë reaguar ndaj vendimit të ministrit të kulturës Memli Krasniqi për të shkarkuar nga detyra drejtorin artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës Jeton Neziraj.

The Fence, Rrjeti Ndërkombëtar i Dramaturgëve dhe Artistëve të Teatrit, në një letër dërguar ministrit Krasniqi shpreh shqetësimin ndaj këtij vendimi, duke theksuar se zhvillimet e fundit në Teatrin Kombëtar të Kosovës i kanë pritur me shqetësim të madh.
“Për kulturën teatrore europiane, Teatri Kombëtar i Kosovës përfaqëson shpresë për një të ardhme më të hapur dhe gjithëpërfshirëse ku, veçanërisht në kulturat kombëtare të dala rishtazi në shesh, respekti i ndërsjellë dhe angazhimi i përfytyruar mund të rrisin shtëpinë tonë të përbashkët europiane”, thuhet në këtë letër të nënshkruar nga Peter Arnott dhe Jonathan Meth.

Në këtë letër thuhet se Ministria e Kulturës e Kosovës duhet të jetë e vetëdijshme se vendimet e saj nuk kalojnë pa u vërejtur dhe pa u komentuar në sferën e gjerë teatrore.
“Parregullsitë dhe vendimet arbitrare janë politike në këtë kontekst kulturor dhe do të nxisin përgjigje politike dhe kulturore”, thuhet më tej në këtë letër.

“Ne i nxisim autoritetet kulturore në Kosovë ta konsiderojnë respektin që duhet t’u jepet të gjithë njerëzve dhe kombeve të rinj dhe të vjetër dhe, për më tepër, i nxisim ata që të mos e rrezikojnë të tyrin”.

Një letër tjetër, e cila përmban të njëjtin shqetësim, i është dërguar ministrit të kulturës, ministrit të punëve të jashtme, zëvendësministrit të Kosovës dhe zyrës së kryeministrit, e cila është nënshkruar nga Catherine Coray, profesoreshë e artit.
“Po ju shkruaj për të protestuar ndaj veprimeve të fundit të qeverisë së Kosovës në shpërndarjen e Bordit të Drejtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe vendosjen në vend të dramaturgut dhe regjisorit Jeton Neziraj, një individ me mungesa të udhëheqjes profesionale teatrore. Teatri Kombëtar i Kosovës ka arritur një reputacion nën udhëheqjen e zotit Neziraj, duke tërhequr një numër të pashembullt të vizitorëve, duke ecur me hapa të mëdhenj drejt vendosjes së organizatës në hartën botërore dhe duke sjellë mirëkuptim dhe bashkëpunim në mesin e grupeve të ndryshme etnike në Kosovë”, thuhet në këtë letër.

Më tutje, në këtë letër, rekomandohet rishikimi i këtij vendimi dhe kërkohet përdorimi i ndikimit të ministrave për të rivendosur zotin Neziraj dhe bordin e mandatar sa më shpejt që është e mundur. Përkundrazi, Teatri Kombëtar rrezikon të izolohet.

Edhe një letër tjetër, e nënshkruar nga Sean Aita, përfaqësues i European Off Network, i është dërguar kryeministrit dhe ministrit të kulturës.

“Jam i shokuar dhe i zhgënjyer me lajmin se Jeton Neziraj është shkarkuar nga detyra si Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Jetoni është një regjisor dhe dramaturg i njohur ndërkombëtarisht, i respektuar lart në Europë për integritetin dhe talentin e tij artistik. Zëvendësimi i tij për arsye politike duket jashtëzakonisht shkurtpamës, veçanërisht pasi Kosova është një kandidat i mundshëm për hyrje në BE”, thuhet në këtë letër.

Edhe në këtë letër nxiten udhëheqësit e qeverisë që ta kthejnë mbrapsht këtë vendim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›