E Shtunë, 31 Tetor 2026

“5 Maji”, Berisha e Rama nderojnë të ndarë Dëshmorët e Atdheut

TIRANE –  Shqiptarët përkujtojnë sot 5 Majin, “Ditën e Dëshmorëve”. Krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare nderuan me respekt dhe përulje Dëshmorët që ranë për Atdheun. 

Mazhoranca në qeveri dhe opozita, zhvilluan homazhe të ndara në "Varrezat e Dëshmorëve", duke vendosur kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”, në ceremoni të ndara. 

Rreth orës 10:00 në “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë zhvilluan homazhe, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të lartë të kabinetit qeveritar, të cilët nderuan dëshmorët dhe vendosën kurora me lule.

Në fjalën e tij kryeministri Berisha tha se sot është dita e përuljes para të gjithë atyre që u detyrohemi lirinë dhe dinjitetin.

“Kjo është një ditë në të cilën fjalët kurrë nuk mund të shprehin atë që ndien zemra dhe shpirti për të gjithë ata të cilët flijuan jetën, rininë, gjithçka që ne sot të festojmë 100-vjetorin e Shqipërisë së pavarur të lirë kudo që ndodhemi në trojet tona.”- u shpreh kryeministri.

Gjithashtu kryeministri theksoi se ideali i dëshmorëve për bashkimin e trojeve shqiptare do të bëhet së shpejti realitet përmes bashkimit të tyre në BE. 
“Ideali i tyre kombëtar ishte liria e kombit dhe sot shqiptarët janë të lirë, kudo qe ndodhen. Ata luftuan që trojet shqiptare të jenë të bashkuara. Trojet shqiptare sot janë të lira dhe në përpjekjen e tyre për tu bashkuar në të ardhmen europiane që meritojnë”- vijoi më tej shefi i qeverisë.

“Secili prej tyre që prehet sot në flamurin e kombit, kur vështron vendin e tij që 100 vjet më parë përpëlitej midis ekzistencës dhe mos ekzistencës si shtet, shikon sot një Shqipëri anëtare të NATO-s dhe që rend me ritmet më të shpejta për të kapur shekujt që iu grabiten nga diktaturat dhe pushtimet. Shqiptaret janë të lirië, të sigurt në të ardhmen e tyre.” përfundoi Berisha.

Rreth orës 11:00, në memorialin “Nëna Shqipëri” vendosën kurora me lule edhe drejtues të lartë të opozitës, me në krye liderin e PS-së, Edi Rama. 

Në përfundim të homazheve kryesocialisti doli përpara mediave ku deklaroi: “Do të bëjmë gjithçka mundemi që Shqipëria që duam të jetë ajo që deshën ata të cilët prehen këtu. Shqipëria që kemi sot nuk është Shqipëria që duam dhe për këtë do të vazhdojmë të luftojmë për idealet dhe idetë e Shqipërisë europiane. Për atë Rilindje Shqiptare për të cilën jemi të angazhuar.” 

Presidenti i Republikës, Bamir Topi mungoinë homazhe, pasi ndodhet në një vizitë zyrtare në Vatikan, me ftesë të Papa benediktit XVI.

Në çdo 5 Maj, Shqipëria përkujton 28 mijë dëshmorët e saj të rënë në Luftën Nacional Çlirimtare. Dëshmorët ranë gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945.

5 Maji, Dita e Dëshmorëve, homazhe nëpër rrethe
5 Maji, Dita në nderim te aktit heroik të heronjve dhe dëshmorëve të kombit tonë, u kujtua sot jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjitha rrethet e vendit, ku përfaqësues të forcave politike, pushtetit lokal, familjarë dhe qytetarë të ndryshëm vendosën kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve të qyteteve.
DURRËSI
Kështu, në qytetin e Durrësit, paraditen e sotme, homazhe u zhvilluan në Mauzoleumin e Dëshmorëve, ku në respekt të veprës së tyre, kryebashkiaku Vangjush Dako, prefekti Genc Alizoti, si dhe përfaqësues të politikës shqiptare, vendosën kurora me lule në Mauzoleun me pllakat përkujtimore të të rënëve për liri.
FIERI
Edhe në qytetin e Fierit, kjo ditë i bashkoi përfaqësuesit e të gjithë spektrit politik, drejtuesit e institucioneve vendore, qytetarë, veteranë dhe familjarë të të rënëve të Luftës, për të nderuar së bashku kujtimin e dëshmorëve të Atdheut.
Ndryshe nga herët e tjera, homazhet sot u zhvilluan në një ceremoni të përbashkët përkujtimore, ku kryetari i grupit të deputetëve të PS-së, Gramos Ruçi, kërkoi të shmangë deklaratat politike dhe politizimin e situatës, gjatë kësaj ceremonie.
KUKËSI
Në ditën e dëshmorëve, edhe qindra banorë të qytetit të Kukësit, familjarë, nxënës shkollash, përfaqësues të partive politike dhe të Pushtetit Vendor, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë Varrezave të Dëshmorëve të qytetit.
"Jemi këtu sot për të nderuar veprën e të gjithë atyre që dhanë jetën për Pavarësinë dhe lirinë e popullit tonë. Përkujtimi i tyre këtë vit përkon edhe me festimet e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë”, u shpreh prefekti i Kukësit, Elez Maçi.
GJIROKASTRA
Homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve zhvilluan sot edhe nga drejtues të Pushtetit Vendor, përfaqësues të forcave politike, familjarë të të rënëve në luftë, si dhe qytetarë të shumtë në qytetin e Gjirokastrës.
Të parët që nderuan dëshmorët e këtij qyteti ishin veteranët e luftës, të cilët vendosën kurora me lule pranë lapidarit “Ushtari i Panjohur”, ku në heshtje të plotë dhe larg fjalimeve politike, pjesëmarrësit kanë parakaluar përpara Varrezave të të rënëve.
POGRADECI
Veprimtari përkujtimore u organizuan sot në qytetin e Pogradecit, kushtuar 45-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), pseudonimi i tij letrar.
Në aktivitetin e organizuar në këtë ditë, folën për vlerat dhe kontributin e shkrimtarit , zv/ministri i Arsimit, Ardian Tane, Aurel Plasari dhe Ardian Civici, ndërsa një koncert me pjesë nga krijimtaria e veprave të Kutelit, u dha nga Qendra Kulturore e Fëmijëve.
Edhe aktori i shquar i skenës shqiptare, Mirush Kabashi, interpretoi për të pranishmit "Poemthin kosovar", të Kutelit.
Ndërsa në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit dhe në Monumentin e Brigadës së XV-të Sulmuese në Pogradec, u zhvilluan homazhe dhe u vendosën kurora me lule nga veteranët , familjarët, qytetarë dhe përfaqësues të pushtetit lokal e politikanë.
SHKODRA
Si zakonisht edhe këtë vit, në ditën e 5 Majit, autoritetet lokale, drejtues të institucioneve, politikanë, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë të shumtë në qytetin e Shkodrës zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit, për të vijuar më pas me vizita në disa prej familjeve të të rënëve në Luftë.
Në këtë ditë përkujtimore, edhe shoqata e Veteranëve të qytetit verior, kujtoi veprën e dëshmorëve të qytetit, pas një tubimi të organizuar më parë në Shtëpinë e Oficerëve, ku folën për kontributin që dëshmorët dhe veteranët e Luftës kanë dhënë për këtë qytet.
(er.nu/ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera 5 Maji, Berisha viziton familjen e Jordan Misja dhe Feti Voglit Basha: Nderim dhe respekt për ata që luftuan për lirinë AK, Pashaj: Ideali i dëshmorëve prek ëndrrën e çdo shqiptari Berisha: Azem Hajdari, frymëzim i përjetshëm për shqiptarët Presidenti Topi në Vatikan, me ftesë të Papa Benediktit XVI FOTO: ’5 maji’, maxhoranca homazhe në varrezat e dëshmorëve VIDEO: “5 Maji”, Berisha: Nderim Dëshmorëve që u detyrohemi lirinë FOTO: Dita e dëshmorëve, politikanët nderojnë të rënët

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›