E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Arrest në shtëpi” për aktivistët e Vetëvendosjes

PODUJEVE - Gjykata komunale e Podujevës, e udhëhequr nga gjyqtari Behxhet Muçiqi, vendosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 15 ditë, për nëntë aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje”, për shkak të pjesëmarrjes në protestën e 14 janarit.

Në seancën që zgjati rreth 6 orë gjykata vendosi masën “arrest në shtëpi” për aktivistët: Frashër Krasniqi, Salih Zybe, Hysen Durmishi, Naim Bunjaku, Bekim Sylejmani, Genc Musa, Musa Ajeti, Gezim Hyseni dhe Sabri Bajraktari, njofton ‘Zëri’.

Prokurori i çështjes Ilaz Beqiri bëri të ditur se “të pandehurit, përveç që kanë penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve, kanë kundërshtuar urdhrat e policisë. Ata kanë gjuajtur me gurë dhe mjete të tjera të forta.”

Pas dëgjimit të akuzës, pala mbrojtëse ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve, pasi kishte kaluar afati i paraburgimit prej 48 orëve dhe në këtë rast Gjykata ka shkelur ligjin, duke i mbajtur ata në arrest më tepër se 48 orë.

(er.nu//BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›