Replikat ne tryeze, Rama, Berishes: Me ke prere ne bese
TIRANE-Kryetari socialist ka zbardhur dje disa nga replikat që ka shkëmbyer me kryeministrin Sali Berisha gjatë takimit në tryezë. Ai ka informuar aleatët por edhe deputetët socialistë për ato ç'ka biseduar gjatë 3 orëve të qëndrimit përballë kundërshtarit. Gazeta Shqiptare zbardh disa prej tyre ne numrin e sotem, ku kryetari socialist Rama ka përdorur edhe batuta që mund t'i prekin sedrën kryeministrit Berishën. "Na ke prerë në besë", mësohet se i ka thënë Rama kreut të demokratëve, ndërsa kanë qenë duke biseduar shumicën e kohës vetëm për hapjen e kutive të votimit. Ka qenë Berisha që i ka sqaruar Ramës se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por edhe ato të Kolegjit Zgjedhor nuk ia lejojnë atij hapjen e kutive të votimit. "Më kërko çfarë të duash, bëje Kodin vetë, unë nuk të ndërhyj në asnjë pikë, - mësohet t'i ketë thënë në një moment Berisha, - por mos kërko hapje të kutive. Është e papranueshme dhe e panegociueshme". Por më tej Rama i ka shpjeguar se gjatë negociatave për hartimin e Kodit elektoral Berisha kishte pranuar nenin, sipas të cilit, mjafton kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së që të lejohet hapja e kutive të votimit aty ku dyshohet. Në këtë pikë Rama mësohet se i ka thënë kryeministrit se "nuk e mbajte fjalën për Kodin. Je i pabesë dhe i padrejtë. Nuk mund të më gënjesh", - i është drejtuar ai Berishës, sipas burimeve nga tryeza e aleatëve të majtë. Në këtë moment Rama i ka kujtuar kreut të qeverisë se e kishte vonuar enkas Kodin elektoral dy muaj, vetëm për të rregulluar çështjen e rinumërimit të votave. Kryeministri ka këmbëngulur disa herë se nuk do të prekë vendimet e gjykatave. Por Rama sërish i ka thënë se "kjo nuk është punë gjykatash, as ligji. Atë ne e caktuam në Kod dhe ti e hodhe në det, çelësin e sigurisë së procesit". Në vijim të informimit që u ka bërë aleatëve, Rama ka rrëfyer se kryeministri i ka propozuar që të gjitha kërkesat e opozitës t'i diskutojnë në një grup pune me ekspertë. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut socialist, i cili mësohet të jetë përgjigjur se "këtu, grup pune jam unë. Grup pune mbi mua nuk ka". "Po të duash, hajde të ngremë një grup pune për mënyrën se si do të hapen kutitë, për procedurat, vendet ku ne dyshojmë etj", - ka rrëfyer Rama. Kreu i PS-së u ka thënë aleatëve se kryeministri Berisha ka folur njëlloj si të ishte në mitingjet e PD-së. Në një moment, edhe shoqëruesi i kryeministrit, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Patozi ka filluar të rendisë argumentet kundër hapjes së kutive. "O Patoz, kujt ia mban atë fjalim? E ke marrë shumë seriozisht, sikur je numri dy në PD", - mësohet t'i jetë kthyer Rama. Për më shumë se 1 orë e gjysmë debati është orientuar tek grupi i ekspertëve, që ka qenë një pikë e fortë ndarëse mes dy kampeve.(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)