E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E vërteta” ekonomiko-sociale

Sherri” me të vërtetën ekonomiko-sociale për çdo njeri, në fakt daton herët. Qysh kur ai vjen ndërmend dhe
botën përreth nis ta shohë jo thjesht si larmi ngjyrash, zhurmash, sendesh e aromash, por edhe si një univers raportesh sasiore. Raporte, në të cilat anët e veçanta fillimisht tentojnë të vijnë në një lidhje pozitive dhe logjike në mes tyre. Por, nuk është realiteti “material” ai që i prodhon si të tilla. Ka të ngjarë që meritën parësore në këtë dominim (fillestar) të shkakësisë pozitive ta ketë makineria “edukative” që shoqëria ngre për këtë punë: sloganet moralistike a ideologjike, ardhur qoftë nga gurra popullore (kush luan këmbë e duar, ha bukë edhe lakruar...), qoftë nga zyrat e agjitacion-propagandës së pushteteve (punë –mireqënie -lumturi! etj.), apo qoftë edhe nga eksperiencat dhe shembujt e një bote ku gjërat funksionojnë (atje vërtet lodhesh, po ama shpërblehesh).
Shto këtu pastaj edhe tekstet e referencat shkollore mbi teorinë dhe lidhjet “shkakësore” në ekonominë shkencore (puna si masë vlere dhe tregu si mbretëri e “dorës së fshehtë”), dhe mendja e adoleshentit të njomë nuk ka se si të mos mbushet dënga me një materie, për të cilën ai shumë shpejt do të mësojë se ...duhet rishikuar seriozisht!.
***
Jo më kot më sipër përdorëm termin “sherri”, në vend të fjalëve më normale, ballafaqimi, eksplorimi, zbulimi, etj., me të cilat njohja njerëzore prek dora-dorës dimensionet e reja të kësaj bote. “Sherri” në këtë rast duket fiks fjala e duhur, sepse e vërteta ekonomike, qysh në ditën e parë të kuptimit na vjen tejet konfuze. Hutuese, ngatërruese, e papërtypshme, e patretshme. Shpesh krejt e përmbysur. Ndryshe nga fushat e tjera të jetës natyrore dhe njerëzore, ku anët, hallkat dhe gjymtyrët kanë një lidhje pak a shumë logjike e funksionale, këtu çdo gjë duket “anapolla”. Ja, le të përpiqemi ta shohim këtë me syrin e një 16-17 vjeçari. Ndonëse e shkurtër, eksperienca i ka mësuar atij disa të vërteta që rezultojnë ...krejt të vërteta: kështu, ai e di se kur temperaturat ulen shumë atëherë pritet akulli e dëbora, nëse bie shumë shi mund të ketë përmbytje, nëse ngrohet koha e shkëlqen dielli do të ketë gjelbërim. Nëse lopa që ai ka në shtëpi do të hajë shumë bar - do të japë shumë qumësht, nëse tokat e veta janë pjellore - do të ketë shumë prodhim. Po kështu, nëse është një talent sporti dhe stërvitet shumë, ai e di se ka shumë shanse të bëhet një kampion. Nëse është i mençur e studion thellë - mund të punësohet lehtë e bëjë karrierë. E kështu me radhë.
Po a mund të thotë adoleshenti ynë me një farë sigurie sadopak të ngjashme, se një lidhje po kaq e fortë dhe po kaq e qëndrueshme ekziston e mund të zbulohet edhe në ekonomi dhe sidomos në ekstraktin final të saj: raportet e kontributit dhe shpërblimit? Si zor ta thuash. Jo vetëm se këtu nuk kemi asnjë puqje a pikëtakimi me shkakësitë e thjeshta natyrore a gjysmë-natyrore. Por, edhe sepse brenda vetë fushës së shkakësive social-ekonomike, distanca me logjiken dhe normalen është bërë tepër e madhe. Me kontributin direkt të politikës dhe sidomos të pushtetit okult e arrogant, sot parashtrimet dhe perceptimet me anë të të cilave e vërteta ekonomiko-sociale troket në korteksin e njomë të një të riu në rritje e sipër, po bëhen gjithnjë e më vështirësisht të deshifrueshme. Një tufë pyetjesh e fshikullojnë atë çdo ditë si kamxhik: Si është e mundur që bashkëstudentja e klasës sime të çajë rrugët e Bllokut me fuoristradën më të shtrenjtë? Një vajzë e re pa asnjë orë kontributi e pune? Në një vend pa “gjyshër të pasur”, pa “testamente” apo “florinj” të fshehur? Si mundi horri i njohur i lagjes sonë, që direkt mbas rotacionit të pushtetit u bë me dy shtëpi e tre makina? Si mundet që emërimi në një post shtetëror “me peshë” i pasuron njerëzit më shpejt e më fort se çdo biznes i suksesshëm? Si shpjegohen krerët e zyrave nga rrjedh paraja e shtetit, të zgjidhen patjetër persona me histori hetimi dhe dënimi? Pse kjo këmbëngulje që edhe disa karrige qeveritare të mbahen nga persona nën hetim? Si mundet që mediat dhe “mediatikët” e rreshtuar hapur pro pushtetit - shpërblehen e pasurohen më rrufeshëm se çdo investitor i guximshëm që ve në lojë paratë e veta? Pse të gjithë larot dhe spiunët e kryeministrave gdhihen të gjithë të kamur? Si është e mundur që bijtë e tyre trajtohen në shkollat më të shtrenjta të botës? Si shpjegohet që jo vetëm bijtë, por edhe shokët e bijve të kryeministrit, kanë të gjithë studio e biznese “elitare”? Si është e mundur që klani i sotëm nuk ka më droje të festojë si klan edhe vetë ...iftarin e Ramazanit? Transmetuar “live” nga propaganda e shtetit.
Pse prindi im që rropatet pareshtur nuk paguan dot as faturat e muajit? Pse apartamenti ynë është më i varfër, makina jonë është e vjetër, dhe blerjet tona më të këputura se sa ato të komshiut që njihet për lidhjet me kupolën? Në fund të fundit, përse emërimet, licencimet e shanset për rregullim material shpërndahen kaq voluntarisht e padrejtësisht nga vendimmarrësit e majës së pushtetit? Këto e plot pyetje të ngjashme pa përgjigje nuk ka se si të mos rëndojnë sot mendjen e çdo të riu “normal” shqiptar dhe të mos mundojnë shpirtin e tij të njomë..
***
Askush s’mund ta mohojë se sot realiteti ynë, krahas lidhjeve shkakësore të drejta (punon shumë –fiton shumë, dhashë kaq pa mora aq, nuk blej dot se ...punoj kot, kursimtar – pasunar, dorëshpuar – i rrënuar, shkollë e madhe – jetë pa halle, etj)., gjithnjë e më dendur na ofron lidhje të pashpjegueshme prej logjikës tradicionale. Lidhje devijante të tipit “mashtron shumë – fiton shumë”, punon rëndë - paguhet “lehtë”, “s’di as të flasë – shpenzon pa masë”, “hileqar – pasunar”, etj, etj. Lidhje të tilla dominojnë në fakt fjalorin dhe atmosferën e rrugës e të kafeneve. Po ta themi troç, edhe të familjes e shoqnisë ku rritet e selitet vete i riu ynë.
Gjithsesi, nuk është vetëm punë zhargoni dhe atmosfere. Në radhë të parë është punë ndijimi, perceptimi dhe eksperience individuale. Pune reflektimi lidhur me to. Punë pyetjesh të ngelura pa përgjigje. Politika shqiptare veçse shton errësirën. Teksa vetë shoqëria, duket shumë e zënë ...me politikën!.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›