E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, Diveroli “fajtor” shijon jetën në SHBA

TIRANE-Ndërsa në Tiranë vazhdon procesi “Gërdeci” në ngarkim te 29 te pandehurve për tragjedinë e rëndë të 15 marsit 2008, Gazeta Shqiptare zbulon jetën e tanishme të Efraim Diverolit, trafikantit të armeve kineze nga Shqiperia, që i siguronte nga fabrika e Gërdecit. Fotot ekskluzive jane te një festë familjare te zhvilluar në Miami, ku Diveroli ka marrë pjesë në datën 25 shtator 2009, në të njëjtën ditë kur këtu në Tiranë, 26 familjarët e viktimave të Gërdecit kërkonin nga Prokuroria e Përgjithshme të mos ndërpriste hetimet për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Diveroli shfaqet në këto foto i qeshur, tepër i lumtur dhe ku bie në sy shëndeti i tepërt që ka vënë në krahasim me fotot e bëra publike prej tij pas tragjedisë së 15 marsit 2008. Duket se e ka shijuar lirinë edhe 25 ditë pasi mediat amerikane do të njoftonin në datën 1 shtator 2009 se, “Efraim Diveroli, tregtari i municioneve nga Miami Beach do të përballet me pesë vjet burg, pasi u vetëshpall fajtor për mashtrimin e qeverisë amerikane duke i shitur ushtrisë municionet e ndaluara të prodhuara në Kinë, me qëllim furnizimin e forcave aleate në Afganistan”. Efraim Diveroli akuzohet nga prokurorët federalë në Amerikë për trafik armësh, konspiracion, gënjeshtra dhe mashtrim. Por ne deklaratat e tij Diveroli thote se e ka hedhur pas supeve gjithçka që lidhet me armët, duke iu perkushtuar tashmë jetës familjare. Pretendimi i tij, shihet nga analistët në SHBA, për të cilët çështja e kompanisë ‘AEY’ është ende e freskët, si taktikë e tij për t’i shpëtuar 500 viteve burg që rrezikon t’i marrë si dënim. Ishte vetem 22 vjec kur Efraim Diveroli arriti të nënshkruante kontratën me Pentagonin, si përfaqesuesi i firmes AEY Inc, për të furnizuar me armë Afganistanin. Eshte fakt se Diveroli ka siguruar municione qe ishin 40-vjecare dhe të dekompozuara duke i siguruar ne vendet e ish-bllokut komunist. Për të blerë këto municione kompania e Diverolit ka perdorur nënkontraktorë ose ndërmjetës nga një listë federale kompanish te dyshuara për trafik të paligjshem armësh. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›