E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, amerikani Henry refuzon të vijë në gjyqin shqiptar

TIRANE-Seanca gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit më 15 Mars të vitit 2008 ku humbën jetën 26 pesona ka pësuar sot shtyrjen e radhës.
Në disa minuta seancë u lexua dëshmia e Patrik Henry, përfaqësuesi i kompanisë amerikane ‘SAC’ që ka patur lidhje me MEICO sa i përket c’montontimit dhe demilitarizimit të municionin luftarak të blerë nga kompania shqiptare.

Gjyqtari Ridvan Hado lexoi dëshminë në letërporosinë e dërguar nga SHBA ku thuhet seHenry dhe 3 ekspertë të SHBA janë vënë në dijeni për paraqitjen e tyre në gjyqin për Gërdecin, por e kanë refuzuar pjesmarrjen në të.

Pikërisht sot ishte afati i fundit kur Patrik Henry, përfaqësuesi i kompanisë amerikane ‘SAC’ që duhet të mbërrinte në Tiranë për të dëshmuar në gjyqin ndaj 29 të akuzuarve. Me kete refuzim te amerikaneve Prokurorise shqiptare i mbetet vetem te lexoje leterporosine e Henry-t.

Më pas trupi gjykues vendosi shytrjen e seancës gjyqësore pasi konstatoi mungesën e një avokati.

Kjo mungesë nuk ështe e para por, rutinë për seancat gjyqësore për gërdecin. Seancën e kaluar është shtyrë seanca ndaj të akuzuarve, mes të cilëve ndodhet Mihal Delijorgji, administrator i “Albademil”-it, Ylli Pinari, ish-kreu i MEICO-s, apo dhe ish- krerët më të lartë të ushtrisë shqiptare, pasi pjesa më e madhe e avokatëve nuk u paraqitën në seancë.

Gjyqi për shpërthimin tragjik të fabrikës së demontimit në Gërdec që mori jetën e 26 njerëzve të pafajshëm, prej më shumë se një viti po zhvillohet në gjykatën e Tiranës.

Për këtë cështje ka dështuar dhe përpjekja e gjykatës së Tiranës për të zhvilluar tri herë në javë gjyqin ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e rëndë të 15 marsit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona.

Lidhjet e Gërdecit me SAC
Një vit më parë, për Prokurorinë shqiptare mbërriti nga Amerika dëshmia e Patric Henry, administratorit të kompanisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc”. Në dëshminë e tij, Henry ka shpjeguar se sipas tij ka realizuar biznes të rregullt për demontimin e municioneve dhe nuk ka shkelur asnjë ligj.
Me 28 dhjetor 2007, kompania e Henry, “Southern Ammunition Company Inc” ka nënshkruar një kontratë me ndërmarrjen shtetërore MEICO, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ku kishte të drejtën të ç’montonte dhe demilitarizonte municionin luftarak të blerë.
Vlera monetare e kontratës së shitblerjes mes MEICO-s dhe SAC-it kapte shifrën e 582.326 dollarëve amerikanë. Tri ditë më vonë, “SAC” ia ka shitur arsenalin ushtarak kompanisë shqiptare, “Albademil” sh.p.k, me administrator Mihal Delijorgjin. Marrëveshja mes Patrick Henry dhe Mihal Delijorgjit është nënshkruar me 31 dhjetor 2007. Në dëshminë e tij para një viti, Henry ka sqaruar pikërisht marrëveshjet e nënshkruara me MEICO-n dhe Delijorgjin.

Tashmë në gjyqin për Gërdecin pritet dëshmia e Patrik Henryt që prej muajsh po vonohet.
Gjyqi për Gërdecin është një ndër gjyqet më të mëdha në historinë e drejtësisë shqiptare. Në fabrikën e demontimit, e cila shpërtheu më 15 mars 2008, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. Prokuroria, për tragjedinë e rëndë vuri nën akuzë 29 persona, mes tyre Mihal Delijorgjin, administrator i "Albademil", Ylli Pinarin, ish-kreu i MEICO-s, si dhe ish-krerët më të lartë të ushtrisë shqiptare.
Mes 29 të pandehurve në këtë proces, të akuzur si përgjegjës kryesorë janë ish- bosi të Albademil Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli ish- drejtor i fabrikës së demontimit në Gerdec, Ylli Pinari ish kreu i MEICOS dhe Sokol Ngjeci ish mbikqyrësi i MEICO-s. Të gjithë të pandehurit gjykohen në gjëndje të lirë. Pasi 2 muaj më parë Delijorgji, Pinari, Ngjeci dhe Minxolli u liruan nga burg pasi kishin skaduar afatet e paraburgimit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›