“Gjika të largojë 4 lojtarë nga ekipi, ndryshe iki unë”
Gugash Magani e ka të qartë pozicionin e tij lidhur me të ardhmen personale dhe të skuadrës së Flamurtarit. Sipas tij kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më, ndaj ai do t’i kërkojë presidentit të klubit, Shpëtim Gjika largimin e 3-4 lojtarëve të tjerë që nuk e meritojnë të luajnë për këtë skuadër ose në të kundërt do të jetë ai që do të largohet nga drejtimi i ekipit. “Në ndeshjen e sotme (dje) situata është rënduar së tepërmi dhe në këtë rezultat që arritëm përgjegjësia bie totalisht mbi trajnerin, dhe unë ndihem përgjegjës. Një ekip i cili në 6 javë kampionat nuk ka arritur të ndryshojë mënyrën e të luajturit kjo do të thotë shumë. Kështu që unë pas një analize me presidentin e Flamurtarit Shpëtim Gjika do të rishikojë dhe pozicionin tim në krye të ekipit. Por kjo do të bëhet publike në një deklaratë për shtyp. Jam mëse i bindur që në ekipin e Flamurtarit ekzistojnë lojtarë të cilët nuk e meritojnë fanellën kuqezi dhe janë gati 3 deri në 4 lojtarë për të cilët do t’i kërkojë presidentit Gjika t’i largojë nga ekipi. Ndërsa për emrat e tyre nuk mund t’i bëjë publike ende sepse duhet të ruajë rregullat e klubit dhe pas analizës besojë se do të dalim me përfundime konkrete”, ka pohuar dje pas ndeshjes Magani.