E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Konomi”, Nishani: Prona, pista kryesore e hetimit

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani përkundër 10 propozimeve të Edi Ramës i rekomandon atij adresimin tek qytetarët nëse kërkon vërtet pushtet, gjë të cilën nuk mund t’ja servirë mbi tavolinë kryeministri Sali Berisha. I ftuar mbrëmë në studion e “5 pyetjet nga Babaramo”, ai i quajti jo serioze pikat e Ramës ndërsa fajësoi politikat bllokuese të opozitës, që sipas tij i kushtuan vendit shtyrjen sërish të statusit të vendit kandidat për në BE. Ministri Nishani foli edhe për krimin e rëndë të vrasjes së gjyqtarit vlonjat Skerdilajd Konomi. Duke u ndalur tek hetimet, Nishani shpjegoi se dikasteri që ai drejton është i përjashtuar nga ky proces dhe nuk ka asnjë akses në këtë dosje pasi është kompetencë e plotë e organit të akuzës. Megjithatë, ministri Nishani konfirmon se i ka dhënë informacion të rëndësishëm prokurorisë për të zbardhur vrasjen e gjyqtarit Konomi.
Sipas të gjitha gjasave progres-raporti i BE-së do të jetë negativ. Përse?
Në këndvështrimin tim nuk presim që të jetë një raport negativ pavarësisht mosdhënies së aksesit për dhënien e vendit kandidat por raporti në vetvete ndan në mënyrë integrale shumë aspekte të analizës. Natyrisht nuk presim të ketë ndonjë surprizë për sa i takon vendimit përfundimtar të dhënies së statusit të vendit kandidat për një arsye tashmë publike, për shkak të ngërçit politik dhe qëndrimit bllokues të opozitës në lidhje jo vetëm me jetën parlamentare të saj, jo vetëm me debatin politik normal por edhe një sërë veprimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me reforma. Më lejoni të them se kohët e fundit me keqardhje kam konstatuar disa deklarata të kolegëve të opozitës që 12 rekomandimet e dhëna nga KE nuk janë dhe aq të rëndësishme për procesin e integrimit.
Pra ju mendoni se opozita është fajtore që nuk do të marrim statusin?
Besoj se kjo nuk është dilemë dhe nuk është një çështje e shtruar për debat. Gjithçka është në shesh, tërësisht e zbuluar. Fatkeqësisht për sa kohë procesi i integrimit të vendit apo i reformave sepse në fund të fundit procesi i integrimit nuk është një proces në ajër por ka të bëjë me reformat që duhet të merren në kushte të ndryshme të shoqërisë. Për sa kohë realizimi i këtyre reformave është kthyer si platformë politike në bllokim të tyre nga ana e PS-së dhe z.Rama, natyrisht nuk ka gjë më për të zbuluar apo debatuar.
Një nga kriteret për të marrë statusin e vendit kandidat është lufta kundër korrupsionit dhe trafiqeve si zgjedhje të cilësuara të lira dhe të ndershme ndërkohë që të dy këto parametra priten të jenë sërish në optikën negative…
Nuk besoj të jenë sërish në optikën negative për faktin sepse në fakt Komisioni Evropian është një institucion i cili vepron në harmoni me shumë institucione të tjera ndërkombëtare të cilat vlerësojnë dhe monitorojnë mënyrën funksionale të një shoqërie demokratike. Kam parasysh një sërë deklaratash të vetë KE-së dhe PE-së kanë dhënë qëndrime krejt të qarta se ka përmirësime në pikat që ju përmendët. Edhe kur Shqipëria të marrë statusin apo të bëhet anëtare e BE-së, duhet të keni të qartë se lufta kundër korrupsionit do të jetë një betejë e hapur. P.sh, televizioni juaj ka qenë shumë aktiv në goditjen e fenomeneve të zvarritjes së proceseve gjyqësore dhe është diskutuar që ndërhyrja në kodin e procedurës penale mund të rregullojë dhe të kufizojë spekulimet që mund të bëhen nga aktorë të ndryshëm. Për sa i përket zgjedhjeve, nuk besoj se janë kritika por rekomandime dhe sugjerime, në mënyrë të veçantë në çdo raport final në çdo proces zgjedhor dhe kjo ndodhë në çdo vend tjetër.
Si i konsideroni 10 pikat e z.Rama?
Nuk besoj se ka më qytetarë sot, jo më njerëz në politikë apo analistë, njerëz që janë aktivë në jetën politike që mos ta ketë të qartë që nuk ka një seriozitet të duhur në atë çfarë shpreh z.Rama. Ajo që nuk është serioze është pikërisht fryma e propozimeve, është pikërisht dhënia e pushteteve z.Rama dhe këtë ia kërkon z.Berisha. Kryeministri nuk ka asnjë të drejtë ti japë pushtet z.Rama. Berisha i është adresuar qytetarëve shqiptar dhe ata i kanë dhënë të drejtën për të drejtuar pushtetin dhe i vetmi që mund ti japë pushtet z.Rama dhe z.Berisha janë vetëm qytetarët shqiptar përmes procesit zgjedhor.
Të ndalemi tek krimi më i rëndë që ka ndodhur, vrasja e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Në çfarë pike janë hetimet?
Natyrisht edhe në këtë rast unë nuk mund të them se në çfarë pike janë hetimet sepse ndoshta është shumë e rëndësishme jo për të përcaktuar përgjegjësi e kujt dhe çfarë është në raste të ndryshme por duke pasur parasysh perceptimin e opinionit publik ne që kemi fatin dhe shansin që përmes jush të bëjmë opinion tek publiku duhet që disa gjëra ti sqarojmë. Ekzekutivi, që është qeveria shqiptare me instrumentet e saj siç është Ministria e Brendshme, Policia Hetimore, nuk kanë fuqi hetimore, pra nuk mund të hetojnë. Procesi i hetimit në Shqipëri është qartësisht i përcaktuar e i përjashtuar tërësisht pushteti ekzekutiv nga hetimi. Por policia e shtetit vepron mbi bazën e rekomandimeve dhe udhëzimeve që lë grupi hetimor që udhëhiqet nga prokurori. Kjo është përmbajtje…
Dakord, por përmbajtja e hetimeve në çfarë stadi është? Cilat janë pistat?
Nuk di të them sepse natyrisht që është një sekret hetimor dhe ne nuk kemi akses në këtë dosje. Është tërësisht në dorën e grupit hetimor të Prokurorisë, ajo që unë mund të them dhe të konfirmoj që ngjarja është jashtëzakonisht e rëndë, është një ngjarje e krimit të organizuar. Të gjitha provat e mbledhura deri tani nuk kanë indicie për të hetuar si ngjarje që ka ndodhur për shkak të detyrës. Edhe pas prononcimit publik të familjarëve të të ndjerit pothuajse po orientohet pista e hetimit, pra është folur dhe po flitet gjithnjë për një konflikt për çështje pronësie. Ajo që mund të them tjetër është se, organi i prokurorisë ka angazhuar specialistë shumë të mirë në hetimin e kësaj ngjarje. Ajo që mund të them tjetër është se policia e shtetit është në dispozicion të grupit hetimor dhe të prokurorëve për të kryer çdo veprim dhe për të zbatuar çdo urdhër dhe detyrë që do ti vërë grupi hetimor dhe ajo që do të them është se policia e shtetit i ka dhënë grupit hetimor informacione të rëndësishme të cilat ne besojmë plotësisht që kanë ndikim të madh në zbulimin e ngjarjes. Dhe e fundit, ajo që unë besoj plotësisht që nëse ka një vullnet institucional, profesional dhe motivim që kjo ngjarje mund të zbardhet. Nuk kam dyshime por për sa informacione kemi dhënë dhe përmbajnë në vetveten e tyre, nëse ekzistojnë dhe këto të tjerat që unë nuk i vë në dyshim them se do të zbardhet kjo çështje.
Cili ka qenë reagimi i prokurorisë?
Prokuroria bën hetime më vete. Ka një grup hetimor, ka oficerë të policisë gjyqësore të përfshirë në grupin hetimor. Këtu nuk bëhet fjalë për të ndarë pushtetin. Të gjithë pushtetin e hetimit e ka organi i akuzës. Ka specialistë shumë të mirë dhe nëse do të ecet me vullnet dhe profesionalizëm të plotë dhe duke parë çfarë provash ka prokuroria, që ia kemi kaluar ne si polici e shtetit, plus që mund të ketë informacione të vetat, kam bindjen se me një hetim të aftë është një çështje që mund të zbardhet.
Këto janë raste kur autori mund të kapet menjëherë sepse është vepër e krimit të organizuar. Nuk zbardhen brenda ditësh pasi pas tyre ka një mbështetje ndaj kërkojnë një hetim të mirëfilltë. Për këto lloj vrasjesh edhe mund të dihet autori por që ky autor të hetohet duhen prova, duhen gjendur dhe duhen argumentuar para gjykatës. Edhe mbledhja e provave kërkon kohë.
Janë gjendur prova në vendin e krimit?
Po, janë gjetur prova të rëndësishme. Nuk mund të përmend detaje por di që janë gjetur prova të rëndësishme.
Në të njëjtin vend ka ndodhur dhe një tjetër ngjarje e rëndë. Ka lidhje mes këtyre të dyjave?
Në përgjithësi nuk mund të përjashtohen ngjarje të tilla të rënda jo vetëm në formën e një skenari por edhe në mjetet që përdoren. Mund të ketë lidhje në aspektin e mënyrës së përdorimit apo të individëve që janë përdorur për të kryer ekzekutimin. Por kur ka vrasje të tilla duan kohë dhe kërkojnë hetim të mirëfilltë. Duhen t’i bëhen me dije policisë që ajo të vihen në lëvizje. Duhet ta bëjë këtë prokuroria për të gjetur se çfarë lidhjesh duhet të hetohen. Hetimi në Shqipëri përbëhet tërësisht nga organi i akuzës.
Të ndalemi pak tek Wikileaks. Janë normalizuar marrëdhëniet mes drejtorit Burgaj dhe nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, Kuliçaj?
Për sa kohë unë kam qenë në Ministrinë e Brendshme dhe sa kohë që z.Burgaj ka qenë nëndrejtor i policisë edhe tani që është drejtor unë nuk kam konstatuar dhe nuk konstatoj asnjë problem në marrëdhënieve jo vetëm mes tij dhe z.Kuliçaj që janë dy drejtues shumë të rëndësishëm të Policisë së Shtetit por në përgjithësi si drejtues i policisë së shtetit. Vet natyra e departamentit që drejton z.Kuliçaj përkundrazi e bën me dinamike marrëdhënien me z.Burgaj sepse është një departament që ka një aktivitet shumë të madh në luftën ndaj kriminalitetit, lidhet drejtpërdrejtë ndaj goditjes së krimit, drogës, trafiqesh dhe për shkak të kësaj dinamike unë ju siguroj se jo vetëm që nuk kam konstatuar por nuk shoh asnjë arsye që të ketë probleme mes tyre.
Pas publikimit të Wikileaks, opozita kërkoi shkarkimin e Kuliçaj. Është diskutuar kjo?
Shkarkimi dhe emërimi është kompetencë e ministrit të Brendshëm. Natyrisht, unë nuk kam asnjë arsye ta diskutojë një gjë të tillë për sa kohë që departamenti që ka drejtuar z.Kuliçaj ka qenë një ndër departamentet më të suksesshëm bashkë me atë të kufirit. Kanë pasur rezultate të suksesshme dhe nuk kam arsye për shkarkim.
Ju e keni thirrur për ta diskutuar atë çfarë ka publikuar Wikileaks?
Jo, nuk kam pasur arsye ndërsa z.Burgaj ka ardhur vet. Natyrisht ka qenë i shqetësuar ato ditët e para të publikuara dhe më ka thënë që unë nuk kam bërë një deklaratë të tillë. Unë personalisht nuk kam pasur ndërmend që ta thërras për këtë çështje por ka ardhur vet.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›