“Kush m‘ka faj që jam shqiptar”, merr çmim në Preshevë
TIRANE- Kush m‘ka faj që jam shqiptar”, vepra e vënë në skenë me regji të Enver Petrovcit dhe në bashkëpunim me trupën e teatrit “Bylis” të Fierit, është vlerësuar me çmim në festivalin mbarëshqiptar të teatrove në Preshevë. Enver Petrovci dhe trupa e Fierit konkurruan në edicionin e dhjetë të festivalit së bashku me dhjetë trupa teatrore që vinin nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria. Trupa profesioniste e “Bylisit” ka tërhequr vëmendjen e jurisë së festivalit. Me pjesëmarrjen e aktorëve Olta Gixhari, Bledar Mehmeti, Klajdi Marku, Fatmir Xhelili në rolet kryesorë, me muzikë të Robert Hoxhës dhe skenografi të Gëzim Hajdinit, drama u përzgjodh ndër më të mirat e festivalit të Preshevës. Aktori Klajdi Marku është vlerësuar me çmimin special të festivalit. I nderuar për këtë çmim, Marku tregon se për herë të parë pas thuajse 30 vjetësh në Preshevë konkurron një trupë shqiptare. Për këtë arsye ai e vlerëson më shumë çmimin e marrë. Në qendër të dramës “Kush m‘ka fajin që jam shqiptar” është një artist i madh kosovar, i cili ka krijuar një karrierë të suksesshme larg vendit të tij. Ai mendon të kthehet dhe ta ndihmojë kombin e vet. Braktis gjithçka për t’u kthyer. Por kthimi i tij pasohet nga një zhgënjim i madh. Këtu aktori pasqyron krizën që kalon një intelektual i vërtetë dhe pasionant që nuk e gjen dot veten.(s.g/BalkanWeb)