Ndihma italiane për kirurgjinë në zemër, operohen 10 fëmijë
Tiranë- Gjatë kësaj jave në QSUT janë kryer 10 ndërhyrje kirurgjikale tek fëmijët me probleme në zemër, dhe kjo ka ardhur falë ndihmës së mjekëve italianë.
Gjatë jë konference për shtyp Altin Vreshti, kardiokirurg pediatër, deklaroi se 9 ndërhyrje kanë qenë kirurgjikale ndërsa një hemodinamikë, ndërsa tre prej tyre janë kryer për herë të parë në Shqipëri.
Nga këto ndërhyrje, fëmija më i vogël ka qenë 2- javësh, një rast urgjence që ka ardhur nga Kosova dhe më të madhin 12 vjeç. Dy ndërhyrje kirurgjikale që janë bërë për herë të parë dhe një ndërhyrje hemodinamikë,- tha Vreshti.
Drejtori i Qendrës Spitalore Universitare, Saimir Ivziku u shpreh se ndihma e mjekëve italianë do të vijojë, ndërsa do të ketë dhe mjekë shqiptarë që do të japin ndihmën e tyre në spitalet italiane.
Tashmë të gjithë e vëmë re që QSUT ka rritur shumë bashkëpunimin me institucionet e tjera, tashmë kemi bashkëpunime të eksperiencave të ekipeve mjekësore nga jashtë që i shërbejnë zhvillimit të aftësive më të mira të stafit tonë, por nga ana tjetër do të doja tiu informoja edhe për një risi të fundit. Spitali Universitar në Katanzaro shumë shpejt do të hapë një pavion të tij të kardiokirurgjisë dhe risia është se ata kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e mjekëve shqiptarë,- deklaroi Ivziku.
Ndërhyrjet kirurgjikale në zemër tek fëmijët kanë shumë pak kohë që po zhvillohen në Shqipëri, dhe kryhen vetëm në QSUT.