Përleshja me Rozanën, pafajësi Rezarta Shkurtës

Rezarta Shkurta dhe Rozana Radi
Prokuroria kërkoi 82 orë punë, togat e zeza: Akuza sprovohet.
Gjykata: Këngëtarja shpëtoi nga dëshmitë e policëve.
Gjykata e Tiranës deklaroi të pafajshme këngëtaren Rezarta Shkurta për akuzën e plagosjes së lehtë me dashje ndaj koleges së saj Rozana Radi në përleshjen e tyre më 6 dhjetor 2010.
Vendimi i pafajësisë u shpall dje nga gjyqtari Gerd Hoxha. Sipas Gjykatës rezultoi se nuk provohej që e pandehura Shkurta të kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Po sipas vendimit, reagimi i Rezarta Shkurtës ka ardhur si kundërpërgjigje e veprimeve agresive të kryera nga Rozana Radi në momentin e përleshjes. Gjyqtari Hoxha lexoi dje vetëm dispozitivin e vendimit. Arsyetimi i plotë i tij pritet të zbardhet në ditët në vijim. Më poshtë paraqiten konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes së këngëtares Shkurta, të paraqitura dje në gjykatë nga avokati i saj.
VERSIONI I SHKURTES
Ka rezultuar se më datë 06.12.2010, rreth orës 03:00, shtetasja Rezarta Shkurta është takuar me shtetasen Rozana Radi, takim i cili ka rezultuar me një përplasje fizike. Takim ky i kërkuar për tu zhvilluar nga shtetasja Rozana Radi dhe që vinte pas një historie marrëdhënieje jo të mirë midis tyre. Siç rezultoi e provuar gjatë gjykimit nga dëshmitë e shtetasve Ermal Hoxha dhe Rozana Radi, ka qenë kjo e fundit, që pas një periudhe marrëdhëniesh të ftohta e më pas konfliktuale në mes kallëzueses dhe të pandehurës, në mëngjesin e hershëm të datës 06.12.2010, rreth orës 01:00, ka kërkuar që të takohet me klienten e mbrojtur prej meje, duke i kërkuar shprehimisht që të shkonte ta takonte poshtë pallatit të saj. Kjo kërkese e bërë nga shtetasja Rozana Radi është pranuar nga Rezarta, e cila është shprehur më shumë se një herë që ka pasur gjithë dëshirën dhe vullnetin që të sheshonte problemet me këtë shtetase, pasi një marrëdhënie e tillë po bëhej shqetësuese, si në jetën e saj private, por edhe në atë publike, duke sjellë pasoja për reputacionin e saj si këngëtare e mirënjohur. Ky ka qenë edhe qëllimi i pranimit të kërkesës së bërë nga kallëzuesja, kërkesë e cila nuk është vlerësuar për asnjë moment nga Rezarta si një mundësi për të thelluar konfliktin, por përkundrazi, si një mundësi për të shuar kontradiktat në mes tyre.
DESHMITE: SKISHTE SHENJA
Sipas avokatit Plarent Ndreca, mbrojtësit ligjor të të pandehurës Shkurta, nga dëshmitë në proces është provuar se Rozana Radi në momentin e shoqërimit në Komisariat ka qenë krejtësisht e padëmtuar dhe nuk ka pasur asnjë shenjë të tillë. Shtetasi Ilir L., inspektor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, deklaron: Gjatë rrugës Rozanës nuk i pamë ndonjë shenjë nga goditja, por nga lotët i ishte prishur tualeti. Rozana pretendonte se kishte temperaturë, se kishte bërë ndërhyrje kirurgjikale në gjoks dhe do bëjë ankim. Ajo u ankua vetëm për operacionin nga gjoksi. Në qoftë se personi do të kishte shenja dhune, ne e çojmë në spital, ndërsa palën tjetër e çojmë në Komisariat. Shtetasi Gerti B., inspektor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, deklaron se: Asnjë nga shtetaset nuk kishte ndonjë shenjë dhune së përndryshe do ti çonim në spital… Rozana tha se e kishte goditur Rezarta, por nuk kishte ndonjë shenjë të dukshme.
ESHTE VETEPLAGOSUR
Nga deklarimet e dhëna nga të gjithë shtetasit e thirrur për të dëshmuar në gjykim, është pranuar fakti se shtetasja kallëzuese nuk është ekzaminuar nga ana shëndetësore në momentin e shoqërimit të saj në Komisariat, por disa orë më vonë, në mëngjesin e vonë të po asaj dite. Duke krijuar në këtë mënyrë një dyshim të arsyeshëm, referuar edhe qëllimeve e sjelljes së kallëzueses, se pasojat e evidentuara në aktin e ekspertimit të jenë shkaktuar nga vete kallëzuesja. Nga ana tjetër, dëshmitari i Prokurorisë, Ermal Hoxha, ka rrëfyer se personi i parë i cili ka ushtruar dhunë fizike ka qenë jo shtetasja Rezarta Shkurta, por shtetasja Rozana Radi dhe më pas në kushtet e përpjekjes për të ruajtur shëndetin e saj, Rezarta Shkurta është mbrojtur. Ai deklaron shprehimisht se: …shkoi ajo te Rozana Radi dhe ne një moment ka dalë Rozana nga makina dhe e ka kapur nga flokët, pa folur me Rezartën.
KUNDËRSULMI
Ka rezultuar qartë se reagimi i shtetases Rezarta Shkurta ka qenë plotësisht brenda kufijve të mbrojtjes së nevojshme. Sulmi i bërë nga kallëzuesja (kapja e menjëhershme nga flokët) ka qenë një sulm krejtësisht i paligjshëm, i vërtetë aq sa ka krijuar bindjen e atëçastshme tek e pandehura se një sulm i tillë do i sillte pasoja në fizikun e saj. Reagimi i Rezartës ka qenë në proporcion të plotë me karakterin e shprehur të sulmit të realizuar nga shtetasja Rozana Radi dhe ky proporcionalitet provohet qartësisht nga deklarimet e dëshmitarëve okularë, që kanë deklaruar në koherencë të plotë se shtetasja Rozana Radi nuk ka pasur asnjë shenjë dëmtimi në fizikun e saj.
E ALKOOLIZUAR
Rrezikshmëria e shtetases kallëzuese dhe gjendja aspak e ekuilibruar e saj (për shkak të konsumimit të alkoolit) provohet në mënyrë po aq të qartë nga deklarimet dëshmitarëve okularë. Shtetasi Ilir L. deklaron: Rozana dukej se ishte nën efektin e alkoolit. Ndërkohë, duke folur Rozana tentoi në mënyrë agresive ti afrohej Rezartës me duar për ta goditur, por ndaloi vetë. E shau dy herë nga robt të q robt. Në prezencën tonë nuk janë goditur, vetëm një tentativë nga Rozana për të goditur Rezartën, por që nuk e goditi. Shtetasi Gerti B. deklaron se: Shtetasja Rozana Radi e shau Rezarten të q robt dhe je kurvë. Rezarta na tha e qetë e shikoni si të shan ajo. Rozana na kërkoi që ta shoqëronim ne, pasi nuk ishte në gjendje për të drejtuar makinën, pasi ishte në gjendje të keqe emocionale, me sa mbaj mend Rozana nga era që vinte mund të ishte edhe e dehur, pasi i vinte era alkool….
Pretenca: 82 orë punë e detyruar
Në seancën e 13 qershorit, prokuroria i kërkoi gjykatës deklarimin e fajshëm të Rezarta Shkurtës dhe dënimin e saj me 82 orë punë në shërbim të komunitetit. Prokurori paraqiti si provë në proces një akt-ekspertim mjekoligjor të Rozana Radit pas ngjarjes. Sipas këtij akti, rezultonte se Radi kishte pësuar dëmtime që klasifikohen në kategorinë e plagosjes së lehtë.Shkurta: Tani do ta padis Rozanën
Këngëtarja Rezarta Shkurta ka reaguar dje në lidhje me vendimin e gjykatës. Sipas saj, ndihmë e madhe për të nxjerrë të vërtetën kanë qenë dëshmia e dy policëve në vendngjarje. Unë nuk do ta lë me kaq. E dashur Rozanë, po ta them publikisht: do të të hedh në gjyq për faktin që u mundove të hedhësh baltë në imazhin tim. Uroj të jesh në gjendje të më paguash dëmshpërblimin, ka deklaruar dje Rezarta Shkurta pas vendimit të Gjykatës së Tiranës.
ARMAND BAJRAMI