E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në mejdan” për kryetar të PDK-së në Prishtinë

Zgjedhjet në Degën e PDK-së në Prishtinë nuk janë mbajtur sipas datës së paraparë. 15 dhjetori ka qenë dita kur kjo degë do ta zgjidhte Këshillin Drejtues, Kryesinë dhe kryetarin e saj.

Shtyrja e zgjedhjeve sipas burimeve të gazetës “Tribuna Shqiptare”, është bërë për shkak të dallimeve brenda Degës, në lidhje me atë se kush duhet të jetë kandidat për kryetar.

Burime të gazetës bëjnë të ditur se Dega e Prishtinës dhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi janë ‘ndarë’ për emrin i cili do t’i prijë kësaj Dege në kryeqytet. Përderisa drejtuesit e Degës së Prishtinës, këmbëngulin që kryetar i kësaj Dege të zgjedhet Lirak Çelaj, në anën tjetër, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi mbështetë Memli Krasniqin i cili ushtron funksionin e Ministrit të Kulturës dhe Sportit.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me personat në fjalë, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Shpalljen e kandidaturës për kryetar të Degës në Prishtinë nga Lirak Çelaj dhe Memil Krasniqi e ka konfirmuar kryetari në largim i kësaj Dege, Ramadan Avdiu.

“Lirak Çelaj, Memli Krasniqi dhe Shemsi Veseli deri tani po pretendojnë të jenë kandidatë për kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë. Ndërsa një gjë është e sigurt, se unë nuk do të hyjë në garën për kryetar”, ka thënë Ramadani. Ai ka mohuar të këtë favorizime nga ana e kryetarit të PDK-së apo anëtarëve të Kryesisë për kandidatët e mundshëm./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›