“Të hyftë vetja në qejf!”
Në Veri thuhet një fjalë e mençur. Nëse ke njeri inat, uroje: Të hyftë vetja në qejf! Natyrisht Berishës dhe mëkëmbëses së tij të pashpallur, Topallit, bashkë me aradhën e yxhymëve të tyre partiakë, jo prej një të tillë urim-mallkimi të shqiptarëve të hapërdarë në ca si bashkëvuajtës dhe në ca si bashkëfajtorë, u ka hyrë vetja në qejf, përkundrazi. Sigurisht jo për të keqen e tyre, por për fatkobin tonë, qeveritarët e sotëm shtiren sikur e besojnë që janë mazhorancë legjitime, meqë shqiptarët i votojnë dhe i adhurojnë e nuk pipëtijnë as kur paratë dhe pasuritë publike bëhen rrush e kumbulla. Ata besojnë që në shumicë ne jemi asish qytetarësh të pagdhendur që na pëlqen kur ata sillen ashtu si po sillen: Arrogantë, prepotentë, harbutë, hokatarë, delirantë, marrokë e të papërgjegjshëm. Nuk ka dhe nuk gjen dot në Ballkan krerë të kësollojtë, kaq të vetëngopur, e sa më s’ka të dehur me veten si këta tanët! Kurrkund nuk mund të bëjë vaki që një kryeministër të dalë në publik dhe të deklarojë zëplotë se bashkëkombësit e tij nuk janë shqiptarë të pastër, si kemi pas kujtuar, po pasardhës gjenetikë të pushtuesit, d.m.th ca bij k… me gjak turk dhe asgjë të mos ndodhë! Kur aparati i të menduarit, vepruarit e të gjykuarit, tamam si ndodh tek indianët primitivë që zbukuronin fytyrën me bojëra e pendë zogjsh, sendërtohet ose me superlativa për Perënditë (sot për BE dhe SHBA) dhe paskësaj me autolëvdata për veten, ose me munxë e supersharje për armiqtë e fisit, partisë, kundër opozitës e të gjithë kundërshtarëve mediatikë të kryetarit. Nuk ka se si mund të njëmendësohet ndryshe një frymë bashkëpunimi dhe mirëbesimi mes zgjedhësit dhe përfaqësuesit, mes ligjit dhe moralit, mes së drejtës dhe gënjeshtrës, mes interesit vetjak dhe atij kombëtar. Kur një udhëheqës e humb mundësinë të ribëhet qytetar i zakontë, pas mbarimit të mandatit, në fakt është një fatkeq për të qarë hallin, por kur beson dhe lufton që ta mbajë dhe ta ruajë mandatin, pushtetin dhe lavdinë me dhunë e manipulim, mundësisht edhe pas vdekjes, ky lloj prijësi bëhet i dëmshëm, kriminel, vrasës, paranojak e antikombëtar. Ndaj këtij tipi nuk funksionon më urim-mallkimi popullor: Të hyftë vetja në qejf! *** Pas asaj që ndodhi në Kuvend për zgjedhjen e një rishtari anëtar të KLD-së, shumëkush ka të drejtë të besojë se në shoqërinë tonë “pluraliste” qenka punë tejet e vështirë të largosh (me votë) një qeveri e një kryeministër të cilit, edhe për fajin tonë, i ka hyrë vetja në qejf aq sa sinqerisht beson se është jo vetëm i pagjykueshëm e i pazëvendësueshëm, por edhe i pavdekshëm e i pagabueshëm. Ajo vaki që ngjau në Kuvend e bën alarmante pyetjen: A mund të dorëzojë paqësisht pushtetin Berisha dhe a mund të pranojë ky të bëhet pensionist i zakontë? Mos duhet të paguajmë shtrenjtë ndërrimin e “kuajve”, si në vitin e mbrapshtë ‘97, apo mos duhet të presim me durim, si e ka thënë vetë, “vullnetin e të gjithëpushtetshmit”? Arroganca e pashembullt në një votim të kontrolluar në mënyrën më të shëmtuar (firmosja e fletë-votimit para se ta merrte deputeti) dëshmoi se jo vetëm zgjedhja e pritshme e Presidentit të Republikës, për të cilin sot për sot ka aq shumë debate e hamendje, por edhe zgjedhjet e vitit 2013 kanë për të qënë të vështira, sigurisht “me ca të meta, por më të mira se të kaluarat”, por gjithsesi sërish me një rezultat të paracaktuar e të kalkuluar në favor të tonton makutëve të sotëm të cilët si po duken bathët, tanimë nuk kanë as frikë e as turp nga ndëshkimi i nesërm i historisë! Këta qeveritarë nuk tuten nga një ndëshkim i sotëm jo se jo, pasi e dinë që Drejtësinë e kanë nën kontroll të plotë. Sot, po të jesh edhe mik i një ministri, makar edhe këshilltar i Bashkisë së Fierit, je i mbrojtur, i imunizuar, edhe po të kërkohesh nga Interpoli. Zyrtarët tanë, të mëdhenj e të vegjël, të qendrës e të periferisë, nuk kanë frikë as nga opinioni publik, pasi e dinë që ai tashmë është i atrofizuar, i tejngopur, i lodhur, i mumufikuar, i pafuqishëm, i demotivuar prej përfundimit. Tekefundit të gjithë janë “njëlloj!”. Nuk kanë më frikë as nga vota e lirë dhe demokratike, pasi “burri ynë i shtetit” i kontrollon zgjedhjet që në tryezë, ende pa nisur, në mos fshehur me një cërr celulari. Tashmë edhe hapur, para kamerave, ditën për diell e në mes të Kuvendit. Nuk kanë drojë as nga ndërkombëtarët, pasi edhe këta do të tremben përbukuri me kartën e destabilitetit jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të rajonit. Ja pra, Maqedonia po shkon drejt destabilizimit, Greqia në krizë të paparë, Kosova në hall, Serbia në zgjedhje. Mos doni që edhe këtu të ketë trazira? Kësisoj ne vazhdojmë të qeverisemi dhe të komandohemi jo nga përfaqësuesit, por nga pasqyrat e tyre, ca të marra hua nga monizmi, ca nga origjina jonë anadollake. Këto lloj pasqyrash konkave, gjoja pluraliste, janë të detyruara të pasqyrojnë jo atë që ekziston realisht, por atë që dëshirojnë udhëheqësit tanë të shihet, të pëlqehet dhe të pranohet si e mirëqenë! Në romanin “100 vjet vetmi” kolonizatorët evropianë këmbenin me indianët një copë akull apo pasqyrë me disa kg ar. Të njëjtën gjë po bëjmë edhe ne, po këmbejmë votën me një thes me miell apo ca më mirë, me ca premtime iluzioniste jo në sirtar, por të hedhura në ndonjë meting partiak të shpëlarë! Të dehur me pushtetin dhe me veten krerët tanë i ngjajnë një bejlurçine të Kolonjës në fillim të shekullit të kaluar, i cili ishte vetëshpallur bej me kusari, duke sulmuar hanet dhe karvanët e tregtarëve. Meqë nuk ishte bej me derë e ngaqë dyshonte se gjindja nuk do t’ia harronte origjinën e zezë e për këtë shkak nuk do ta nderonte si një bej me oxhak, ai zbriste në pazarin e Korçës dhe lëshonte brezin. Lëshonte brezin që ndonjë i pakujdesshëm apo qëllimtar kokëshkretë t’ia shkelte dhe ai të nxirrte koburen që të vinte dinjitetin në vend! Ky “bej” i vetëemëruar kishte vetëm një frikë: Mos e vriste në Pazar ndonjë evgjit e pas vdekjes do t’i këndohej kënga e turpit, jo e trimit. Kurse këta të sotmit as këtë frikë nuk e njohin. Nuk e kanë ngaqë ia kanë mbushur mendjen vetes se janë të zgjedhur të përjetshëm “me vota të lira dhe demokratike” dhe populli i do të jenë të tillë: Arrogantë, kokorroçë, hajdutë, delirantë, të pacipë e vulgarë! Vini re se si ligjëron nëpër ekrane një i tillë, një farë Alibeaj, që të bindeni për sa më sipër! Por, nuk është vetëm kjo kopje e vetme e vetëpëlqimit. Të gjithë deputetët-ministravartës të Berishës janë kopje të së njëjtës pasqyrë, e cila pas emërimit në një post të detyron që të të hyjë vetja në qejf! Vertikalisht modeli i Berishës, mënyra e të folurit, sjellja, veprimi, morali e gjykimi përcillet e bëhet kopje për të gjithë nëpunësinë. Vetëm kështu populli mund të besojë që nuk je një hiç që mund të nëpërkëmbesh kollaj, po një “nga ne”, një “si ne”, një fodull dhe vip i pamposhtur i pushtetit! Prandaj nuk ka natë e ditë që nëpër ekrane të mos dalin bejlurçinat që “lëshojnë brezin” në mënyrë provokative jo që të na pëlqejnë ne, po që t’i shohë dhe t’i hyjnë në zemër Atij, Doktorit! *** Sidoqoftë tranzicioni i tejzgjatur e ka një meritë. Tashmë nuk ka më vlerë t’i lutemi Zotit: Inshallah u hyftë vetja në qejf zyrtarëve të sotëm që këta, duke bërë sa më shumë paudhësi, mëkate e faje do të gremisen vetvetiu dhe ne, zgjedhësit e tyre, do ta kuptojmë më në fund sa dëmsjellës kanë qënë dhe janë. Dhe duke u bindur, do t’i ndëshkojmë me votë. Por, ngjarja e paturpshme në Kuvend kur kryeministri me gojën e vet kërcënoi me përsëritjen e 21 janarit, provoi se është kapërcyer tashmë faza e frikës nga Ligji, nga turpi, nga vrasjet, nga pasqyra, nga opinioni publik, frikë që në fillimet e demokracisë gëlonte e jepte shpresë për një ndryshim të mirëfilltë të sistemit. Kjo dukuri e bën situatën të pashpresë. Fakti që krerët e sotëm nuk kanë më frikë nga gjykimi ynë, ngaqë na kujtojnë aq trushkulur e trushpëlarë, sa edhe pas njëzet vitesh në demokraci ne, sipas tyre nuk jemi në gjendje të kuptojmë ç’do të thotë votë, se ç’rrezik buron nga një pushtet i pakufizuar dhe i pakontrolluar, i bën bejlurçinat e sotëm të besojnë se përnjëmend janë të pazëvendësueshëm e pse jo edhe të përjetshëm! Kjo është sëpata që na ri prej 100 vjetësh mbi zverk, si një mallkim. Deri kur?
(er.nu/GSH/BalkanWeb)
(er.nu/GSH/BalkanWeb)