E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të ndryshojë Kodi, duam leje për martesat gay”

TIRANE-Ambasada Pink do të bëjë padi ndaj të gjitha neneve të Kodit të Familjes, që bien ndesh me nenin 53 të Kushtetutës që "Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje.". Këtë e bëri të ditur ambasadori i parë i kësaj ambasade, Altin Hazizaj, duke hapur kështu debatin për martesat të të njëjtit seks dhe krijimin e familjeve nga këto martesa. Një gjë e tillë do të hapë debat në shoqërinë shqiptare, që siç thotë Hazizaj, më shumë sesa besimtare te Zoti, është konservator ndaj komunitetit gay, lesbike, bio dhe transgjinorë. Sipas tij, shqiptarët faktin që nuk janë shumë besimtarë, e kanë treguar që me kohë, duke lartësuar dhe faktin që "feja e shqiptarit është shqiptaria".
Zoti Hazizaj jeni ambasadori i ambasadës Pink, në raportin për 2010-2011 ka mjaft shkelje të të drejtave të komunitetit LGBT, edhe pse ekziston ligji kundër diskriminimit. Pse ndodh kjo?
Ligji për diskriminimin është miratuar në shkurt të vitit 2010 dhe një ligj i ri kërkon kohë që të zbatohet. Ai do kohën e tij që të shtrojë rrugën, ku njerëzit e thjeshtë dhe institucionet do të ndërtojnë praktikën e ankesave, të punës së zbatimit të tij dhe mbi të gjitha të eliminimit të diskriminimit. Në këtë aspekt mund të thuhet që periudha 2010-2011 është një kohë që përkon me ngritjen e institucioneve e mekanizmave të rinj për eliminimin e diskriminimit, ndërgjegjësimit dhe trajnimit të institucioneve publike për zbatimin e këtij ligji të rëndësishëm, pajisjen e shoqërisë civile me mjete për ankimimin e rasteve dhe mbi të gjitha, ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për respektimin ndër të tjera të komunitetit LGBT, që për më shumë se 50 vjet ka jetuar nën frikën e burgosjes, përjashtimit, denigrimit dhe dhunës, vetëm dhe sepse dashurojnë gjininë e njëjtë me ta. Nëse bota që nga viti 1968 e në vijim ka nisur të ndryshojë dhe të përmirësojë sjelljen dhe respektimin e të drejtave të çdo personi LGBT, në Shqipëri kjo nisi vetëm në vitin 2010-të. Sigurisht që ne nuk do të na duhen 42 vjet që të respektojmë të drejtat e njeriut, por ka ende shumë për të bërë në drejtim të ndryshimit të perceptimit shoqëror, që të duash një njeri të gjinisë së njëjtë është e gabuar.
Në shumicën e rasteve në këtë raport vihen re shkeljet ndaj komunitetit transgjinor, po komunitetet e tjera nuk kanë pësuar dhunë apo diskriminim?
Ka vetëm një komunitet që është ai LGBT-së (lesbike, gay, biseksual dhe transeksual). Brenda këtij spektri të gjerë të komunitetit gjen sigurisht grupe që për shkak të rrethanave jetësore, përkatësisë së tyre, pamjes dhe organizmit të jetës, janë shumë herë më të rrezikuar, që të dhunohen dhe diskriminohen në çdo moment të ditës e të natës, sesa anëtarët e tjerë të komunitetit. Nga ana tjetër personat gay, bi dhe lesbike janë shumë më të integruar në shoqërinë shqiptare sesa transgjinorët.
Përmendet vetëm një rast përballje me politikanët dhe qëndrimi i tyre, a ka pasur raste të tjera, që ndoshta jo publikisht politikanët të kenë fyer këtë komunitet të vogël në Shqipëri dhe cilat janë ato?
Në fakt ka pasur dy raste, por me kalimin e kohës unë mendoj që edhe Parlamenti ka nisur të kuptoj, që të përgatisësh e të miratosh ligje nuk do të thotë që nuk ke për detyrë t'i zbatosh ato. Unë mendoj se politikanët duhet të jenë udhëheqësit e barazisë dhe të respektit të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kam marr vesh së fundmi se kur disa anëtarë të kryesisë së Partisë Socialiste donin që të shtonin në programin e zgjedhjeve vendore edhe çështjet e respektimit të LGBT, ka pasur një alarmim të anëtarëve të tjerë të partisë deri në cakun e asaj që të vjen për të qeshur, që o unë në parti o çështja LGBT. Në Partinë Demokratike nuk di të ketë pasur ndonjëherë ndonjë diskutim për këtë çështje, pra është njësoj sikur ajo të mos ekzistojë. Këtu kauzat e mëdha të të drejtave të njeriut personalizohen deri në atë masë sa politikanët tanë e bëjnë veten qesharakë përpara qytetarëve të tyre, por edhe përpara botës. Nga njëra anë ata thonë se punojnë për Shqipërinë e civilizuar dhe nga ana tjetër nuk kanë civilizimin e nevojshëm për të pranuar njerëzit ashtu siç janë. Nisur edhe nga zgjedhjet e fundit lokale, sidomos në Tiranë, nëse njëra apo tjetra parti do kishin pasur një program më specifik për mbështetjen e komunitetit LGBT, grave apo të rinjve, mendoj se diferenca në vota nuk do të kishte qenë 80 apo 90 por me mbi 10-20 për qind diferencë. Politikanët shqiptarë kanë shumë për të mësuar nga politikanët europianë, nëse një ditë duam jo të jemi fizikisht, por mendërisht dhe shpirtërisht europianë.
A mendoni se ndërgjegjësimi i qytetarëve nuk është ai i duhuri, për të pranuar këtë komunitet, apo kjo vjen se shqiptarët janë shumë besimtarë te Zoti?
E para unë nuk mendoj se ne shqiptarët jemi shumë besimtarë tek Zoti. Është i vetmi vend që i ka kënduar vetes me fjalët "Feja e shqiptarit është shqiptaria!" Së dyti, feja dhe seksualiteti nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi shkojnë krah për krah. Feja si një fenomen social, kulturor dhe politik, e pranon qenien njerëzore ashtu siç është duke kërkuar të përmirësojë sjelljen e njeriut. Ne e dimë se sjellja është një fenomen social e mësuar dhe e edukuar, ndërsa ndjenjat lindin bashkë me njeriun dhe ne nuk zgjedhim dot se cilat ndjenja unë duhet të kem në shpirtin apo mendjen time e cilat jo. Siç e thashë më sipër, historia jonë e respektit për të drejtat e njeriut nis shumë vonë, ndaj na duhen ende disa vite që ne të përmirësojmë sjelljen tonë dhe të mësojmë sjellje të reja, të cilat rrënjosin tek çdo njeri respektin për të drejtat e gjithsecilit.
Ky komunitet a e shkel të drejtën bazë qoftë fetare apo shoqërore, për krijimin e një familjeje mbi baza të shëndosha?
Sipas te gjitha ligjeve kombëtare apo ndërkombëtare që unë kam lexuar, qoftë edhe të Biblës apo doktrinave të feve të tjera, unë nuk di të jetë e shkruar diku që një e drejtë bazë zbatohet ndryshe për dy persona të ndryshëm. Kjo do të ishte njësoj si të pranonim se unë gëzoj të drejtën e shprehjes ndërsa ti nuk e gëzon! Apo se ti si grua gëzon më pak të drejta se unë! Të gjithë njerëzit lindin të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Kjo do të thotë se kur unë gëzoj një të drejtë dhe gjithë të tjerët kanë për detyrë ta respektojnë atë. Dihet botërisht se është shumica ajo që ka tendencën që të shkelë të drejtat e pakicës dhe jo e kundërta. Secili prej nesh gëzon të drejtën të rritet në një familje, të martohet dhe të krijojë familjen e tij/saj. E drejta e krijimit të familjes është një e drejtë natyrore ndaj ajo nuk mund t'i jepet apo hiqet njeriut, pasi ka lindur bashkë me të. Në këtë aspekt unë kam kënaqësinë të ndaj me ju faktin se ambasada PINK është duke përgatitur tashmë një padi për shpalljen të pavlefshme të të gjitha neneve në Kodin e Familjes, që bien ndesh me të drejtën bazë të çdo njeriu për të krijuar familjen e tij, siç shprehet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Neni 53 i Kushtetutës thotë "Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje." Kjo e drejtë kushtetuese nuk mund t'i mohet askujt ndaj ajo duhet të gjejë zbatim në linjë hierarkike në të gjithë legjislacionin shqiptar, duke filluar nga Kodi i Familjes e në vijim.
Në vendet e tjera, sigurisht me kulturë tjetër, ka një vetëdije tjetër, sa edhe politikanët, drejtuesit e shtetit, pranojnë publikisht që i përkasin një orientimi tjetër seksual. Mendoni se nëse hidhet ky hap i parë publik, njerëzit do e kenë më të lehtë për t'i pranuar si komunitet?
Pa diskutim. Para rreth dy javësh isha i ftuar, së bashku me komisioneren kundër diskriminimit, nga qeveria e Malit të Zi dhe një organizatë që punon për të drejtat e komunitetit LGBT për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare që vetë qeveria e Podgoricës e organizonte në mbështetje të komunitetit. Më ka bërë përshtypje zv/kryeministri Malazez që ashtu siç duhet të flasë një lider i vërtetë i një vendi, pranoi publikisht perceptimin e gabuar që vendi i tij kishte pasur ndaj komunitetit dhe premtoi se ajo periudhë kishte marrë fund një herë e mirë. Në Shqipëri kjo nuk ndodh pasi politika në përgjithësi është homofobe. Ajo është ngritur mbi konceptin e gabuar të shfrytëzimit të njerëzve dhe jo të respektimit të të drejtave të tyre. Është ironike që politikanë nga Shqipëria që shprehen kundër komunitetit nuk duan të humbasin mundësinë për të bërë një foto me politikanë të rëndësishëm europianë, që janë haptazi gay apo lesbike.
A ka shumë nga komuniteti LGBT-së që kërkojnë të largohen jashtë, pra të kërkojnë strehim diku ku jeta e tyre është më e lehtë ashtu siç janë?
Ky është një shqetësim i drejtë. Një pjesë e djemve dhe e vajzave që vinin në PINK, me heqjen e vizave, janë larguar për në Itali, Spanjë, Holandë apo edhe vende të tjera. Diferenca në trajtimin dhe respektin për të drejtat e njeriut, bën që secili nga ne ta kuptoj se kemi vetëm një jetë dhe atë duam ta jetojnë të lirë, të qetë dhe të respektuar në dinjitetin tonë. Por nga ana tjetër, kjo dërgon sinjalet më të gabuara tek shoqëria jonë këtu dhe pa diskutim edhe në Europë, pasi vazhdon t'i portretizoj shqiptarët si njerëz që edhe pas 20 vjetësh tranzicion në demokraci ende nuk kanë mësuar sesi të respektojnë njeri-tjetrin, ata që janë të ndryshëm, gra, burra, fëmijë a të moshuar.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›