E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vizat”, Berisha: Prioritet i qeverisë, progresi në rrugë të mbarë

TIRANE- Ndonëse liberalizimi i vizave ka ecur në rrugë të mbarë, ky proces mbetet prioriteti kryesor për qeverinë. Kështu ka deklaruar kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë mbledhjes së rradhës të Komitetit Ndërministror të Integrimit. Berisha tha se Shqipëria ka patur progres thelbësor në përmbushjen e detyrimeve të vendosura nga Bashkimi Europian, progres që sipas tij ka ndikuar pozitivisht në ecurinë e vendit.

“Një progres thelbësr është shënuar nga të gjitha institucionet e vendit në përmbushjen e detyrimeve tona. Procesi është në rrugë të mbarë, rezultatet janë të prekshme. Ky proces u shndërrua dhe në një faktor të rëndësishëm të ndryshimit në kahe pozitive të vendit, të modernizimit të plotë të kontrollit të integruar të kufijve të vendit, të miratimit të ligjeve të reja në luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe krimit ekonomik në veçanti” theksoi kreu i qeverisë.

Kryeministri Berisha vecoi plotësimin e një serë kushteve mjaft të rëndësishme që sipas tij kanë sjellë ecurinë pozitive të liberalizimit të vizave. Një ndër këto kushte, sipas kreut të qeverisë është edhe hartimi i projektligjit për mbrojtjen e personave nga diskriminimi. Berisha urdhëroi ngritjen sa më parë të inspektoriatit të përcaktuar nga ligji anti-diskriminim dhe nisjen e zbatimit të tij. 
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›