E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vizat” Meta merr mbështetjen e Sllovenisë

LUBJANE- Ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave me Shqipërinë në takimin që ka zhvilluar në Slloveni me homologun e tij Samuel Zbogar. “Shqipëria sot absolutisht që i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe standardet e udhërrëfyesit të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Ne besojmë që ky vlerësim pozitiv do të konfirmohet edhe nga Brukseli së afërmi.” theksoi Meta. Ndërsa shefi i diplomacisë sllovene Zbogar u shpreh: “ Sllovenia mbështet dhënien e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën gjatë këtij viti. Në do të punojmë aktivisht për këtë dhe shpresojmë që Bashkimi Europian do të jetë i aftë të dërgojë këtë mesazh pozitiv për të dy vendet në kohën brenda presidencës spanjolle.” u shpreh Zbogar duke konfirmuar dhe mbështetjen për këto vende që u lanë jashtë fazës së parë për liberalizimin e vizave. Meta ka prekur në Slloveni dhe cështjen e kufirit me Greqinë duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që anulloi këtë marrëveshje. Ai tha se kjo cështje do të zgjidhet sipas perspektivës europiane. “Ne i respektojmë gjykatat dhe pavarësisht nga ky vendim , që e respektoj, ne do të shikojmë të gjitha rrugët e tjera në mënyrë që këtë problem ta zgjidhim sepse është në interes të të dy vendeve dhe sidomos në interes edhe të vazhdimit të rrugës sonë drejt integrimit në Bashkimin Europian” u shpreh Meta. Dy ministrat ranë dakord që marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë të mira, por nevojitet më tepër përmirësim në një sërë fushash, kryesisht për cështjet ekonomike. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›