Vrasja e Myrtajt, Rama: Prokuroria ka vullnet për hetim
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ngushëlluar dje familjen e Faik Myrtajt, një prej katër demonstruesve që humbi jetën më 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij Linda dhe nëna Aneta. Të afërmit e Faik Mytajt kërkuan që drejtësia të vihet në vend dhe të zbardhet sa më shpejt e vërteta e vrasjes së njeriut të tyre. “Duam vetëm drejtësi. Është e pafalshme të qëllosh mbi popullin, ai u vra kot. Ishalla drejtësia të vihet në vend dhe të dalin para ligjit të gjithë ata që qëlluan.” u shprehen familjarët. Nga ana e tij, kryetari i opozitës tha se do të gjendet pranë familjes dhe do të përpiqet t’i ndihmojë ata ndërsa theksoi se humbja e babait është e pazëvendësueshme. Rama bëri apel për zbardhjen e vrasjeve dhe vendosjen e drejtësisë dhe shtoi se prokuroria ka vullnet për të hetuar. “Me sa duket, deri tani së paku ka një vullnet nga Prokuroria për drejtësi dhe drejtësia është një domosdoshmëri për të gjithë shoqërinë. Humbjen e babait nuk jua zëvendëson dot asgjë dhe askush , por ne jemi në dispozicion shoqërisht, shpirtërisht për cdo nevojë dhe me gjithë sa mundemi.” u shpreh Rama.