E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Çmendet" moti, rikthehet bora në Korçë

Ndonëse muaji mars ka ditë që ka hyrë, duket se në Korçë dimri nuk do të largohet lehtë. Dje pas mesdite, brenda një ore, rrugët karakteristike të Korçës janë zbardhur nga flokët e borës. Ndonëse temperaturat e mëngjesit premtonin një ditë të bukur pranvere, në mesditë ato janë ulur menjëherë me 9 gradë Celsius.

Mesi i muajit mars ka çuditur korçarët, të cilët kanë përjetuar brenda së njëjtës ditë dy stinë. Pranvera e mëngjesit është zëvendësuar nga dimri i ftohtë pas mesditës. Temperaturat në mesditë kanë arritur në -2 gradë, ndërkohë që gjatë ditës në Korçë termometri ka shënuar + 7 gradë. Rreth orës 14:00, pas një stuhie ere, kanë nisur të bien flokët e parë të borës. Për të paktën një orë reshje, rrugët janë mbuluar plotësisht. Mendohet se trashësia e dëborës ka qenë të paktën pesë centimetra, por që është shkrirë shumë shpejt, menjëherë pas ndërprerjes së reshjeve të dendura. Por edhe pse pa borë, Korça duket se do të vazhdojë dhe ca ditë të ndjejë të ftohtin e acartë. Sipas të dhënave të marra në Shtabin e Emergjencave Civile, trashësia më e madhe e borës është regjistruar në zonat e Dardhës, Voskopojës dhe Vithkuqit me 7 centimetra. Nga të dhënat që vijnë nga të njëjtat burime, parashikohet që dhe në ditët në vijim të ketë reshje, të shoqëruara me erë të fortë dhe stuhi. Temperaturat pritet të ulen me dy gradë të tjera. Nga ana e Drejtorisë së Rrugëve konfirmohet se reshjet e djeshme nuk kanë krijuar probleme në lëvizjen e automjeteve, gjithsesi ata deklarojnë se do të përdoret fondi i kripës për të mbajtur hapur akset rrugore dhe për të shmangur problemet në qarkullim. Gjithashtu, janë mbajtur kontaktet me firmat mirëmbajtëse të rrugëve, që të kenë në gatishmëri mjetet borëpastruese, në rast të përkeqësimit të situatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›