E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazet e Tiranës mbipopullohen nga mbetësit

Pas përpunimit të rezultateve të semestrit të parë shkollor duket se ky vit shkollor nuk ka qenë ndonjë sukses i madh për gjimnazistët kryeqytetas. Një pjesë e madhe e tyre kanë mbetur në të paktën një lëndë, duke ulur në këtë mënyrë nivelin e përgjithshëm të shkollës në të cilën studiojnë.

Përfaqësues të Drejtorisë Arsimore Rajonale të qytetit të Tiranës janë shprehur me shqetësim për nivelin me të cilin kanë përfunduar semestrin e parë të rinjtë kryeqytetas. Ka shkolla të mira që përpiqen të ruajnë një nivel përfaqësues, por ka të tjera ku gati gjysma e nxënësve janë mbetës në të paktën një lëndë, por edhe në më tepër, pohojnë përfaqësuesit e DAR-it të kryeqytetit.

Në krye të listës së zezë të gjimnazeve me përqindjen më të lartë të ngelësve qëndron shkolla "Arben Broci", e vendosur thuajse në qendër të kryeqytetit dhe ku supozohet një nivel relativisht i kënaqshëm mirëqenieje familjare.

Kështu nga të dhënat e depozituara në Drejtorinë Arsimore Rajonale të qytetit të Tiranës për këtë shkollë bëhet e ditur se kalueshmëria është vetëm 52 për qind. Pra gati gjysma e nxënësve nuk kanë mundur që të marrin nota kaluese në lëndë të ndryshme.

Po kështu edhe gjimnazi "Eqerem Çabej" ka regjistruar një shifër shqetësuese lidhur me ngelshmërinë e nxënësve që studiojnë pranë tij. Vetëm 55 për qind e të rinjve që janë ulur në bankat e kësaj shkolle kanë mundur që të kenë rezultate kaluese, të tjerët janë ngelës në të paktën një lëndë. Ndërsa në gjimnazin "Çajupi", niveli i kalueshmërisë së nxënësve arrin vetëm në 58 për qind.

Nga ana tjetër, shumë mësues pranojnë se interesi i nxënësve të tyre për mësimin është tejet i ulët, në nivele gati problematike. Sipas disa arsimtarëve në shkollat e mesme të kryeqytetit, në një pjesë të madhe të rasteve është vetëm detyrimi i të qenit në mësim dhe rakordimi me prindërit, ajo që i mban shumë të rinj në klasa. Ndërkohë që sërish numri i mungesave është tepër i lartë. Kjo sidomos për orët e para dhe ato të fundit. Edhe pse pas një urdhri të ish-ministrit të Arsimit, Genc Pollo, mësuesit kujdestarë duhet të njoftojnë prindërit përmes mesazheve telefonike në rastet e mungesave të nxënësve, sërish "guximi rinor" duket se ka kapërcyer çdo barrierë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›