Çmenduria 11-11-11. Nostradamusi parashikoi krizë ekonomike?
E kush tha që bota nuk është e mbushur me njerëz të fiksuar pas numrave e fatit.
Në internet ka shpërthyer një bum me teori konspirative që e shohin këtë të premte si fundin e botës. Çasti që e presin të gjithë është ora 11-11-11.
Me mijëra çifte lidhin sot kurorë, mijëra gra do bëhen operacion cezarian për të lindur sot fëmijët.
Në Gjermani 30 mijë çifte e kanë vendosur për sot datën e martesës. Por shumë thonë se këto janë martesat që zgjasin më pak, pasi nderohet më shumë ngjarja se vetë dashuria. Kurse astrologu Majkëll Algajer thotë se sot është një datë e veçantë, mjaft e lumtur, pasi yjet janë vendosur në atë mënyrë që ofrojnë ngrohtësi e ndjenjë.
Studiuesi i numrave Arndt Ashenbek thotë se numri 11 simbolizon një fillim të ri. Kurse një studiues i Nostradamusit thotë se ai ka parashikuar që më 11-11-11 do ketë vështirësi të mëdha ekonomike. Sipas Manfred Dimde, Nostradamusi parasheh edhe fundin e mbështetjes financiare nga vendet e pasura për vendet e vogla.