E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie perdja e hekurt, nga 21 dhjetori, zgjerohet hapësira Shengen

Bashkimi Evropian do të përfundojë zhdukjen e perdes së hekurt me zgjerimin më 21 dhjetor të hapësirës "Shengen" edhe te vendet e Evropës Qendrore, duke u mundësuar në këtë mënyrë qytetarëve të zhvendosen pa kontrolle në kufij në një zonë prej 24 vendesh. Madje, që për pushimet e Krishtlindjeve, qytetarët mund të lëvizin nga Estonia në Portugali, pa treguar pasaportat dhe pa radhë të gjata, ndonjëherë edhe për disa orë, në pikat e kalimit. Për vendet anëtare të dala nga ish-blloku komunist, ky është edhe një vendim tepër simbolik, që konsiderohet si "rënie e copëzës së fundit të perdes së hekurt", sipas ministrit të Brendshëm çek, Ivan Langer. Ndërsa, për homologun e tij gjerman, Wolfgang Schäuble, "ky është thjesht përfundimi i një procesi të nisur me rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989". Gjithsej, nëntë vende të anëtarësuara në BE në vitin 2004 (tre vendet baltike, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia dhe Malta) do të integrohen në hapësirën Shengen, e cila deri tani përbëhet nga 13 vende të BE-së, Norvegjia dhe Islanda. Pas një viti, me to do të bashkohen edhe Qiproja e Zvicra, ndërkohë që Britania e Madhe dhe Irlanda nuk janë pjesë e kësaj hapësire. Pas dy vitesh përpjekjeje, këto nëntë vende kanë përmbushur në fakt dy kushte kryesore të kërkuara për heqjen e kontrolleve në kufijtë e brendshëm. Liria e qarkullimit të personave ishte një objektiv që në Traktatin e Romës në vitin 1957, së bashku me qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, pro kjo u vendos vetëm në vitin 1985 në Shengen, një fshat në Luksemburg, nga një grup pionier prej pesë vendesh (Gjermani, Francë dhe Beneluks), të cilët e vunë në zbatim dhjetë vjet më vonë. Ky qarkullim i lirë është në përfitim edhe të vizitorëve të vendeve të treta, të cilët mund të zhvendosen në të gjithë zonën Shengen me vetëm një vizë kur kjo u kërkohet, megjithatë herë pas herë mund të kryhen edhe kontrolle për arsye të sigurisë publike, siç ndodh shpesh në rastet e ndonjë ngjarjeje sportive për shembull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›