Çmime dhe këngë përpara festave
FSHF organizon mbrëmje festive
Mbrëmë, në ambientet e Hotel Tirana Internacional, Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një mbrëmje festive për të festuar i gjithë komuniteti futbollistik. Të pranishëm ishin shumë figura të njohura, futbollistë, ish-futbollistë, zyrtarë të ministrive të ndryshme, por edhe drejtues të klubeve të futbollit, si edhe trajnerë. Gjithashtu, nën drejtimin e aktorit humoristik Julian Deda, është drejtuar një mini-show, ku pjesëmarrëse ishte edhe këngëtarja e mirënjohur Eranda Libohova.
Fjalën i pari e mori presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit,, duke uruar edhe për festat e fundvitit. Por nuk kanë munguar edhe çmimet e ndryshme nderimi edhe për figura të shquara të mëparshme të futbollit shqiptar. I pari që mori çmimin Nderi i Futbollit Shqiptar ishte i ndjeri Selman Stërmasi, ish-futbollist dhe presidenti i parë i Tiranës. Për të tërhequr çmimin ishin familjarët e tij.
Më pas edhe Myslym Alla ka marrë të njëjtin çmim. Por edhe Faruk Sejdini, Petrit Dibra, Ferit Rragami, Agim Janku dhe Fatmir Hima janë nderuar në këtë ceremoni. Kështu janë nderuar dy figura të njohura të futbollit shqiptar në të shkuarën. Edhe kapiteni i kombëtares U-17 Kristi Marku ka përshëndetur në emër të skuadrës së drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç.
Armando Vajushi, talenti aktual i futbollit shqiptar, ka marrë çmimin: Futbollisti i Vitit 2011, duke u votuar nga 14 trajnerët dhe kapitenët e kategorisë superiore. I falënderoj të gjithë ata që më bënë këtë vlerësim. Në këtë moment kërkoj më shumë nga vetja. Me këtë desha të them se dua të eci më shumë përpara dhe të mos rri në Shqipëri. Do të shikoj mirë ofertën që më ka ardhur nga Bullgaria, nga skuadra e Liteksit.
Veç kësaj ka edhe disa emra të tjerë ekipesh që më kërkojnë në europë, gjithashtu dhe në Shqipëri ka shumë skuadra që më kërkojnë, veçanërisht Skënderbeu, por i kam refuzuar automatikisht. Preferoj më shumë të qëndroj te Vllaznia, sepse atje ndihem më mirë. Syri im është i përqendruar vetëm jashtë vendit.
Për sa i përket Vllaznisë, do të shikojmë të bëjmë merkato dhe të lëvizim nga ai pozicion, sepse meritojmë më shumë. Veten tek ekipi ku jam rritur nuk e shikoj si golashënues, por të arrijmë së bashku objektivat që kemi, sepse kampionati, ashtu si ka shkuar, është i vështirë. Kjo që kam fituar unë është shumë e vogël në jetën time, por për moshën që kam është shumë domethënësë.
Unë kërkoj më shumë nga vetja dhe dua që në të ardhmen të arrij disa objektiva të tjerë,- citoi Armando Vajushi për Sportin shqiptar. Midis figurave në këtë mbrëmje nuk kanë munguar edhe personazhe të freskët të kombëtares, si Arian Beqaj dhe Erjon Bogdani: Jemi të lumtur që jemi sot (dje) këtu në këtë mbrëmje festive,- thanë ata.
