E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmime të larta edhe për një dekadë

Çmimet e ushqimeve do të mbeten të larta edhe gjatë dekadës së ardhshme, edhe pse do të shënojnë një farë rënieje në krahasim me rekordet aktuale. Gjithsesi, me miliona njerëz do të përballen me vështirësi më të mëdha e madje edhe me uri. Këto ishin përfundimet e paraqitura në një raport të OECD-së dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Bujqësinë dhe Ushqimin, FAO. Përtej nënvizimit të nevojës së menjëhershme për ndihma humanitare, organizmat ndërkombëtarë sugjeruan një prodhim më të gjerë drithërash gjenetikisht të modifikuar dhe një rishikim të programeve të biokarburanteve për prodhimin e të cilave përdoret gruri që mund të ushqente me mijëra njerëz. Raporti, i publikuar pak para një samiti botëror mbi ushqimin, në Romë, theksonte se çmimet e ushqimeve ka gjasa të ulen paksa nga majat ku janë ngjitur aktualisht, por ato do të mbeteshin të larta për dekada të tëra. "Është koha për veprim", thotë Zhak Diouf, shef i FAO-s (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë) në një konferencë për shtyp në Paris, duke theksuar se ai priste që 40 liderët që do të takohen në Romë, të vendosin për hapat që duhen marrë menjëherë apo në të ardhmen. "Ka një emergjencë të madhe për ndihma humanitare në mënyrë që të shmanget zhytja në varfëri dhe uri e njerëzve të varfër të botës", shtoi Angel Gurria, shef i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Mishi i viçit apo derrit ka gjasa të mbetet rreth 20 për qind më i lartë se mesatarja e 10 viteve të fundit ndërsa gruri, misri dhe qumështi pudër do të rriten me 40 apo 60 për qind më shumë në 10 vitet e ardhshme. Çmimi i orizit, po ashtu do të rritet dhe pritet që ky produkt aziatik të marrë më shumë rëndësi në Afrikë, ku do të jetë rreth 30 për qind më i shtrenjtë gjatë dekadës së ardhshme, krahasuar me periudhën 1998-2007. "Në shumë vende me të ardhura të pakta, shpenzimet për ushqime do të zënë më shumë se 50 për qind të të ardhurave dhe çmimet më të larta që paraqiten në këtë raport, do t‘i shtyjnë njerëzit drejt kequshqimit", thuhet në raport. Blerjet e miliona njerëzve nëpër glob do të zvogëlohen gjithashtu. Kostoja e shumë ushqimeve është dyfishuar gjatë viteve të fundit, duke nxitur edhe protesta apo përleshje në disa prej vendeve më të prekura siç është Haiti. Shumë faktorë, përfshirë edhe thatësirën në rajonet e mëdha prodhuese të produkteve ushqimore si Australia, shpjegojnë deri në një farë mase rritjen e çmimeve. Po ashtu, ndikim ka pasur edhe rritja e kërkesës nga vendet që po zhvillohen shpejt si Kina dhe India. Por, raporti veçon tendencën e SHBA-së për të prodhuar biokarburante, një përpjekje që Uashingtoni por edhe Evropa po e mbështesin fort. "Kërkesa për biokarburante është një ndër faktorët kryesorë që kanë shkaktuar krijimin e një situate të tillë", thekson raporti, duke shtuar se kishte ardhur koha për të marrë në konsideratë zgjidhjet alternative. Përfitimet në nivelin ambientalist dhe ekonomik, por edhe në atë të sigurisë së energjisë, kanë qenë modeste dhe madje ndonjëherë edhe negative, vijon më tej dokumenti. Sipas planeve amerikane, rreth një e katërta e të mbjellave në SHBA do të shkojë për prodhimin e etanolit, deri në 2022, ndërsa BE-ja po synon prodhimin e më shumë se 10 për qind të karburanteve të nevojshme për transportet, duke përdorur drithërat, deri në 2020-n. Pasojat e çmimeve të larta të ushqimeve janë më të qarta në vendet në zhvillim se sa në vendet e pasura. Përqindja e fondeve totale që një familje përdor për ushqime luhatet shumë, nga mbi 60 për qind në Bangladesh, në 27 për qind në Kinë dhe vetëm 10 për qind në SHBA apo Gjermani.

Faktorët e përkohshëm

Shumë faktorë që qëndrojnë pas rritjes së çmimeve të ushqimeve janë të përkohshëm, siç është moti i keq në rajonet e prodhimit të drithërave në botë

Faktorët e përhershëm

Raporti thotë se ekzistojnë disa faktorë të përhershëm që po çojnë në rritjen e çmimeve, ndër të cilët shtimi i konsumit në vendet në zhvillim

Biokarburantet

Raporti kritikon mbi të gjitha tendencën e SHBA-së për të prodhuar biokarburante, një përpjekje që Uashingtoni por edhe BE-ja po e mbështesin

Parashikimi

Në raport parashikohet që me rikthimin e kushteve normale, çmimet e ushqimeve duhet të bien, gjithsesi, jo në nivelet e ulëta në të cilat ishin gjatë dhjetëvjeçarit të shkuar

FAO dhe OECD apelojnë për ndihma të menjëhershme humanitare për njerëzit në vendet më të varfra



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›