Prishja e objektit, paditet Inspektorati i Ndërtimit
Ilir Mata, pronari i firmës ndërtuese të objektit që nisi të prishej depoziton padinë në gjykatën e Tiranës
Objekti i padisë kërkon pezullimin e menjëhershëm të prishjes së objektit, si veprim flagrant. Dëmi i shkaktuar, i konsiderueshëm
TIRANE- Një ditë pas agresionit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, ndaj një objekti 12 katësh të ngritur me leje ndërtimi në qendër të kryeqytetit, pranë bulevardit "Zogu i Parë", pronari i objektit dhe i subjektit ndërtues kanë depozituar një padi në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar pezullimin e prishjes.
Paditësi "T.T.A.- ALBA- LAM" Sh.p.k, e përfaqësuar nga administratori Ilir Mataj, ka paditur Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, me objekt shfuqizimin e vendimit të prishjes së pallatit 12 katësh në rrugën "Urani Pano".
Më tej, në kërkesë padinë e depozituar dje në gjykatë, kërkohej marrja e masës së sigurimit të padisë, çka do të nënkuptonte edhe pezullimin e veprimeve për prishjen e objektit 12 katësh.
Padia civile e dorëzuar nga Ilir Mata pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, është hedhur në short elektronik nëpërmjet së cilës kancelaria e kësaj gjykate ka caktuar gjyqtaren Ariana Caca për shqyrtimin e saj.
Me caktimin e gjyqtares, kjo e fundit është e detyruar sipas procedurës civile që brenda afatit pesë ditor ta marrë në shqyrtim dhe të shprehet me vendim mbi kërkesën. Pritet që brenda kësaj kohe të caktojë një seancë gjyqësore, ku paditësi do të paraqesë pretendimet e tija me shkrim dhe më pas gjyqtarja do të vendosë për mos ekzekutimin e urdhrit të Inspektoratit të Ndërtimit.
Në kërkesën e tij, drejtuar Gjykatës, Mata, e ka konsideruar aktin administrativ për prishjen e pallatit si të kundraligjshëm, duke arsyetuar këtë veprim të kundërligjshëm si në kundërshtim të plotë me faktet dhe dokumentacionin zyrtar që posedon shoqëria e drejtuar prej tij.
Më tej Mata ka renditur në padi, vendimin e KRRT- së Bashkisë së Tiranës, duke miratuar sheshin e ndërtimit të objektit 11- katësh. Në kërkesë padi thuhet se Mata është pronari i ligjshëm i truallit mbi të cilin është ngritur objekti i cili nisi të shembej dy net më parë nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar.
Ndërkaq, për këtë objekt, nuk është ngritur më parë pretendim nga Isnpektorati, e ndërsa dokumentacioni i poseduar nga firma nuk është hedhur poshtë nga asnjë vendim gjykate.
Ndërkaq, sipërfaqja prej 140.5 m2 në pronësi të Matës, si dhe ai prej 51 metrash katorë i marrë prej tij me qera për kundër pretendimit të Inspektoratit Ndërtimor nuk është në një zonë me rëndësi kombëtare, ajo nuk është e klasifikuar si e tillë, thuhet në shkresën e padisë.
Në padi gjithashtu shoqëria ndërtuese, ka pohuar se nga veprimet e kryera në objekt me qëllim prishjen e tij, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme, për shkak se pallati ishte në fazën përfundimtare të tij, duke e bërë dëmin e shkaktuar të pamundur zëvendësimin e vlerës së dëmit.
Në fund të objektit të padisë depozituar dje në gjykatë, pezullimin e menjëhershëm të ekzekutimit të vendimit, duke qenë se firma ndërtuese posedon dokumente të mjaftueshme shkresore që provonin pretendimet e saj. Kërkesë padia mban firmën e ndërtuesit, Ilir Mata.
Ministri i Punëve Publike, pretendoi dje se vendi i ndërtimit të objektit që do të prishej ishte ngritur mbi një territor të parashikuar për rrugë
Olldashi: pallati, mbi pronë publike
Ministri i Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka reaguar gjithashtu dje nëpërmjet një deklarate zyrtare.
"Kemi të bëjmë me një pallat të ndërtuar mbi truall publik të dhënë me qera , është një cështje që ka qënë në vëmëndjen e shtypit prej disa vitesh rresht, pasi është rasti, besoj unik në planet kur një rrugë është e dhënë me qera, në mënyrë që mbi të ndërtohet një pallat.
Nëse i referohemi dokumenteve, ky është vendimi i KRRT-së së Bashkisë së Tiranës i cili miraton sheshin e ndërtimit për këtë palat 12-katësh, në pronë të Z.Ilir Mata. Sipas Olldashit, në këtë rast është një dhënie trualli me qera dhe sipas tij është dhënë me qera rruga.
"Presupozohet që leja do të zbardhet pasi trualli publik të shitet, ne fakt trualli nuk është shitur sepse bashkia nuk ka pasur truall që ta shesë, pavarësisht se në një rast të ngjashëm ka bërë shitje trualli, këtu nuk ka bërë shitje trualli.
Këtu i ka rënë shkurt, ka bërë një dhënie me qera, pra trualli publik, rrugën që lidhte godinat e tjera të atij pellgu e ka dhënë me qera te Z.Ilir Mata, dhe këtu kemi kontratën për dhënie trualli me qera.
Pika e parë: të miratohet dhënia me qera e truallit", tha z. Olldashi në Deklaratën e tij. Më tej ai iu referua nenit 3 të kontratës, ku sipas tij qeraja vjetore për 51 m2, e 1600 lekë në vit, në total ishte 8.160 lekë të reja në vit.
Më tej ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, tha: Me vendim të KRRTRSH-së të kohës kur qeveriste Z.Nano, është vendosur që Bashkia e Tiranës, të parashikojë lënien e kalimit këmbësor publik Veri -Jug, pra të lërë të lirë rrugën".
Në të kundërt, në shkresën përkatëse thuhet se leja e ndërtimit duhej të parashikonte lënien e kalimit këmbësor publik në hapësirën që ndërtohej. Për këtë qëllim, Mata, pretendon se ka fituar edhe një proces gjyqësor, për të cilin ai posedonte edhe dokumentacionin përkatës.
"Këtë vendim ndërtuesi ka refuzuar ta zbatojë që nga dita e parë që ka marrë lejen dhe deri më sot, dhe është pikërisht ky vendim që ne po e vëmë në zbatim. Po lirojmë rrugën që është pronë publike dhe që për 81 mijë lekë të vjetra në vit zotëria e ka marrë me qera pafundësisht,- tha Olldashi.
Në të kundërt, Inspektorati ndërtimor nuk po merrej shumë me hapjen e rrugës se sa me prishjen e objektit për të cilin pronari pohon se ka dokumentacionin e plotë të ndërtimit të tij.
"Ky është vendimi që ne po zbatojmë dhe ky është vendimi që ne kemi ndërmënd t'i shkojmë deri në fund.
Unë dua t'ju siguroj që asnjë faktor, asnjë aktor nuk do të na detyrojë të ndalemi nga vendosmëria për të zbatuar ligjin dhe për ta çuar deri në fund këtë praktikë.
Një pallat mbi rrugët e qytetit nuk mund të rrijë në këmbë, dhe nuk do të rrijë në këmbë për sa kohë në këtë vënd do të funksionojë ligji",- përfundoi ministri, ndërsa lajmëroi edhe publikimin e dokumenteve që provonin pretendimet e tij.
Kunati i ndërtuesit
Dashamir Peza: Prishja nuk bëhet për interesat publike
"Kjo nuk është një ndërhyrje për të mbrojtur interesat e publikut, por është një luftë politike që e organizon Sali Berisha.
Jeni dëshmitarë të faktit, që unë personalisht, si deputet i Partisë Socialiste, ka mbi dy javë që po akuzohem bashkë me familjen time. Kjo është një fushatë e planifikuar, e paramenduar, kundra personalitetit tim, në mënyrë që të bëhet presion për qëndrimet politike që unë kam mbajtur në grupin parlamentar",- deklaroi deputeti socialist Dashamir Peza, dje pas konfrontimit të deputetëve me policinë.
Ai tha se kjo është një pronë e kunatit të tij dhe se është viktimë e luftës politike, i cili në këtë rast është zgjedhur jo për t'u sulmuar ndërtuesin, por vetë Pezën. "Kjo është një strategji e paralajmëruar. Zoti Berisha, kur e humbet ekuilibrin , e humbet në mënyrë të planifikuar.
Ka dy javë që kanë vazhduar sulmet dhe kjo është e tëra e mirorganizuar, në aspektin e luftës politike, që Kryeministri bën me kundërshtarët e tij politikë. Në këto kushte që jemi, ky sulm është kundër demokracisë, është sulm kundër kundërshtarëve politikë".
Më tej Peza tha se duhej ruajtur qetësia, pavarësisht se ai ndihej i kërcënuar për familjen e tij, por edhe si person. "Por nuk kam asnjë lloj frike të mbaj qëndrimet e mia politike. Sot është mëse e nevojshme që luftën tonë politike ta vazhdojmë edhe më me forcë.
Sot ndihem solidar jo vetëm me forcën time politike, por ndihem solidar me të gjithë ata votues, të cilët kanë humbur vendet e punës të familjarëve të tyre, vetëm për faktin që kanë votuar për Partinë Socialiste. Si përfundim, kjo që po ndodh është një akt i mirëfilltë politik,- përfundoi ai