E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e ekzaminimeve në QSUT përfarohen me privatin, 3500 lekë një ekografi

Pacientët: Çmimet ndryshojnë shumë pak, privati na ofron siguri

Çmimet e ekzaminimeve mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza janë kthyer pothuajse në makth për të gjithë pacientët që mjekohen aty e ju duhet që të kryejnë një sërë analizash e vizitash tek mjekët specialistë. Përveç problemit të barnave që në shumë raste nuk gjenden apo çmimi për to është i pa papërballueshëm nga shumica e

pacientëve edhe çmimet e kripura të analizave janë një tjetër problem serioz. Edhe pse nga Ministria e Shëndetësisë pak muaj më parë janë bërë publike të gjitha çmimet e ekzaminimeve dhe është folur e premtuar se janë më të ulëtat në treg, këto çmime në krahasim me laboratorët privatë apo klinikat e këtij lloji ndryshojnë vetëm me qindarka. Nëse në një klinikë apo laborator të tillë një analizë e thjeshtë është 300 lekë të reja në spitalin shtetëror një analizë e tillë është 250 lekë, pra diferenca është tepër qesharake. Por më të shtrenjtat janë ekografitë apo ekzaminimet me mjete të sofistikuara të cilat shkojnë nga 2500 lekë deri në 4500 lekë. Të pyetur nga gazeta SOT pacientë të shtruar në pavijonet e kardiologjisë dhe onkologjisë deklaruan ditën e djeshme se çmimet në spital janë tepër të kripura dhe se ata e kanë shumë të vështirë ti kryejnë këto ekzaminime me të ardhurat e pakta që kanë. Vetëm një ekografi që bëra të më kushtoi 3500 lekë, por më e keqja është se mjekët na kërkojnë para edhe për matjen e tensionit kjo është e padurueshme çmimet janë tepër të larta Ministria duhet të marrë masat tha dje për gazetën një prej pacienteve të spitalit onkologjik. Por më fatkeqët për këtë problem duket sikur janë pacientët e pasiguruar të cilët faturën e analizës apo të ekzaminimit që kryejnë e kanë më të majme se të pjesa tjetër e pacientëve. Në QSUT nuk mungojnë edhe rastet kur vizitat në spitalet shtetërore janë më shtrenjtë sesa në klinikat private.  Përpara se të hysh në dyert e këtij spitali duhet të përgatitesh mirë financiarisht sepse ekzaminimet kanë çmime vërtet të pashpjegueshme, duke variuar nga 200 lekë për një analizë të thjeshtë por edhe deri në 4500 lekë të reja që kushton një analizë në laboratorin citologjik. Ndërsa një tjetër pacient ka deklaruar dje për gazetën se për gjithë kohën që ka qëndruar në spital atij i është dashur të harxhojë vetëm me analizat e ekzaminimet rreth 1000 euro.

Çmimet, kush përfiton
Edhe pse një përqindje e caktuar e ekzaminimeve në QSUT janë me çmime te larta ka edhe kategori pacientësh që përfitojnë falas shërbim shëndetësor. Kështu fëmijët nga 0 deri në 12 muaj, invalidët e plotë, invalidët e luftës, veteranët, të sëmurët me tuberkuloz dhe tumore. Në rast se këta pacientë nuk kanë librezë shëndetësore, do të duhet të paguajnë rreth 10 për qind të kostos reale. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, kostoja reale për një rezonancë magnetike pa kontrast kap vlerën prej 20 mijë lekëve, për një rezonancë magnetike me kontrast 35 mijë lekë. Ekzaminimi CT skaner kushton në vlerën reale 12500 lekë. Një skaner koke apo kolone me kontrast kushton 12500 lekë. Po ashtu, edhe një CT skaner trupi me kontrast kushton po 12500 lekë. Për të kryer një mamografi, kostoja reale është 3 mijë lekë. Për të kryer thyerjen e gurit në veshka, litotripsia, kushton 18 mijë lekë, ndërkohë që nëse duhet të kryesh një angiografi apo koronografi dhe nuk je i siguruar, duhet të paguash 40 mijë lekë. Fibrosteoscopi kushton 3800 lekë dhe fibrocolonoscopi kushton 3800 lekë. Në rastet kur një pacient është i siguruar, do të paguajë vetëm 10 për qind të kostos së këtyre shërbimeve, ndërkohë që nëse nuk është i siguruar, do të paguajë 10-fish më tepër se tarifat e të siguruarve, që do të thotë gjysmën e çmimit të kostos reale.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Merkure, 24 Mars 2010 20:08

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›