E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punësimi në Itali, nis hedhja e kërkesave për punëtorë

Punëdhënësit italianë, duke filluar që dje, kanë nisur të hedhin në internet kërkesat e tyre për punësimin e punëtorëve të huaj. Ky fakt bëhet i ditur zyrtarisht në faqen e ministrisë së Brendshme Italiane, e cila njofton se është aktivizuar sistemi i aplikimit për punësimin sezonal në Itali, që nis me përpilimin e kërkesave, që duhen paraqitur nga punëdhënësit italianë, deri në datën 31 janar. Këtë vit, qeveria italiane ka rezervuar 4500 kuota për punësimin e shqiptarëve, të cilët në këtë moment duhet të jenë tepër të vëmendshëm për të parë kërkesat e punëdhënësve italianë, në mënyrë që t’u përgjigjen atyre në kohë, fill pas hapjes së aplikimeve për ta. Sipas qarkores së përbashkët të ministrisë së Brendshme Italiane dhe ministrisë së Punës, kërkesat për punësimin e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri (por, praktikisht, edhe në Itali pa leje qëndrimi) duhet të paraqiten më 31 janar 2011. Ndërsa shqiptarët që do të kërkojnë konvertimin e lejes së qëndrimit, duhet të paraqesin kërkesën më 3 shkurt 2011. Kështu, shqiptarët që jetojnë në Itali me një lejeqëndrim çfarëdo e që kërkojnë konvertimin në lejeqëndrim për punë, duhet të paraqesin kërkesë më 3 shkurt 2011. përsa i përket procedurës së aplikimit, do të ketë tre të ashtuquajtura “click day”, (ditë klikimesh” në program, në shkurt të vitit 2011, dhe sërish, edhe një herë do të fitojnë më të shpejtët dhe ata më me fat, duke lënë jashtë pjesën më të madhe të ndërmarrjeve dhe familjeve që do të marrin pjesë në këtë garë. Dekretet e mëparshme kanë treguar se kuotat janë shumë më të pakta se kërkesat, ndaj prej tyre mund të fitojnë vetëm më të shpejtit. Kërkesat duhet të paraqiten sa më herët, në mëngjesin e datës 31 janar. Zakonisht kanë mundur të fitojnë një kuotë ata që kanë paraqitur kërkesë që 15 minutat e para. Kështu që, edhe këtë radhë, sigurimi i një kuote do të jetë përsëri një garë shpejtësie dhe fati, dhe vetëm 98.080 kërkesat e para që do të mbërrijnë në “trurin” e ministrisë së Brendshme do të shndërrohen në leje qëndrimi. Për shqiptarët, do të jetë e rëndësishme të arrihet ndër 4500 të parët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›