E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen infeksionet sezonale te fëmijët

E ndërsa virusi AH1N1, që ndryshe njihet si gripi i derrit, duket se ka kursyer fëmijët, stina e verës nuk ka munguar që të shtojë infeksionet sezonale kryesisht te të miturit. Një raportim i tillë bëhet nga vetë kreu i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, i cili pohon më tej edhe masat që merren në raste të tilla.

"Ne gjatë verës fokusohemi kryesisht ndaj gastroteriteve, intoksikacioneve ushqimore, cilësisë së ujit të pijshëm. Në momentin që po flasim kemi një rritje të gastroteriteve në Shqipëri, e fokusuar kryesisht te fëmijët e vegjël, e lidhur me kushtet klimatike dhe në përgjithësi me kushtet e higjienës", shpjegon Alban Ylli, drejtor i ISHP-së. Ai i mëshon fort idesë se

infeksionet në stinën e verës e kanë origjinën në pjesën më të madhe nga mungesa e higjienës. Kreu i Shëndetit Publik u bën apel të gjithë qytetarëve për më shumë kujdes, pasi duke parandaluar këto infeksione mund të shmanget ndoshta edhe prekja nga gripi pandemik. Kjo, pasi mungesa e higjienës është një nga rrugët e përhapjes së tij.

"Nuk më ngelet veçse të insistoj edhe një herë se ajo që është në dorë të qytetarëve, higjiena individuale, dhe bëj një parantezë, ka një lidhje midis pandemisë së gripit dhe gastroteritit nga pikëpamja e higjienës, megjithëse për gastroteritet më duhet të theksoj dhe masat e tjera që duhen marrë sidomos me konsumimin e ushqimit të sigurt në familje", vijon Ylli. Gjatë kësaj periudhe, ku temperaturat kanë qenë të larta dhe në muajin korrik ato arritën edhe në mbi 40 gradë, në spitalin pediatrik të Tiranës numri i vizitave të fëmijëve nga moshat më të ndryshme ka shkuar deri në 250 në ditë.

Këshillat e mjekëve në këto ditë të nxehta u drejtohen të gjitha grupmoshave, por autoritetet e shëndetësisë thonë se grupet më të rrezikuara janë fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna. Një ndër sugjerimet mjekësore është për prindërit, të cilët duhet të evitojnë ekspozimin e fëmijëve të tyre nën rrezet e forta të diellit, kur ata nuk i kanë mbushur gjashtë muaj. Ndërsa për të gjithë ata që janë të pasionuar pas aktiviteteve sportive, ato nuk rekomandohen në pikun e orëve të nxehta. "Fëmijët deri në 6 muajsh mos t‘i ekspozojnë në rrezet e drejtpërdrejta të diellit. Fëmijët e moshave të tjera t‘i mbajnë të veshur me veshje të lehta prej pambuku, mund t‘i shëtisin prej dore dhe e rëndësishme për të gjithë është evitimi i daljes në pikun e nxehtësisë, mundësisht nga ora 12.00-14.00. Në temperaturat e nxehta nuk këshillohet as kryerja e aktiviteteve fizike apo sporteve të sforcuara, sepse shtohet shumë djersa dhe mund të kemi pasoja nga mosrregullimi i temperaturës", shprehen specialistët në ISHP. Një tjetër këshillë nga autoritetet shëndetësore lidhet veçanërisht me mënyrën e ushqyerjes. Sipas specialistëve ajo duhet të jetë e shëndetshme. "Në periudha të nxehta duhet të përdoren fruta dhe zarzavate. Jo vetëm se tretja është pak më e vështirësuar në motin e nxehtë, por sepse përmbajnë edhe vitaminat që janë A, C, E dhe D, të cilat ndihmojnë edhe në heqjen e qelizave të vdekura, apo të mbrojnë nga plakja, sidomos e lëkurës dhe pjesëve që ekspozohen në diell", sqarojnë mjekët specialistë. Sipas tyre, konsumimi i lëngjeve është mjaft i rëndësishëm për organizmin. Ndërsa theksohet se duhen evituar pijet alkoolike, apo ato me gaz, pasi nuk e shuajnë etjen, por e shtojnë atë.

Shqetësimi

Shtohen infeksionet e lëkurës gjatë plazhit

Korriku dhe gushti, si muajt më të nxehtë të vitit, kanë paraqitur edhe një intensitet rrezesh dielli shumë të lartë. E në këtë kohë plazhi, kur trupi mbetet më i ekspozuar, mjekët dermatologë rekomandojnë kujdes maksimal. Sipas tyre, në këtë periudhë hasen edhe infeksionet më të shpeshta të lëkurës apo alergjitë e shkaktuara nga përdorimi i gabuar i kremrave të plazhit. Por ato me të cilat duhet të bëjmë më shumë kujdes janë nishanet. Ndryshe nga koha kur në plazh shqiptarët e quanin "të huaj" përdorimin e faktorit mbrojtës e ilaçi i vetëm pas djegies nga dielli ishte kosi, dermatologët tregojnë se tashmë jemi bërë më të ndërgjegjshëm. 8 gota ujë në ditë është doza e lëngjeve që mjekët na këshillojnë jo vetëm gjatë një dite të zakonshme vere, por edhe kur frekuentohet plazhi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›