E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e telefonisë, “shkarkohet” kreu i ERT-së, Kopani

Katër zyrtarët akuzohen për mosushtrim përgjegjësish të ngarkuara me ligj. Shqipëria në fushën e telefonisë celulare klasifikohet në vendet me tarifat më të larta

Ervin Koçi

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka kërkuar shkarkimin nga detyra të kryetarit dhe tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve, me motivacionin “për mosushtrim përgjegjësie të ngarkuar me ligj, pa ndonjë shkak të arsyeshëm”. Në një njoftim për shtyp të bërë dje nga MPPTT, bëhet e ditur se “në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe Ligjit nr. 8618, datë 14.06.2000, “Për Telekomunikacionet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ka depozituar për vendimmarrje në Këshillin e Ministrave iniciativën ligjore, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë”. Sipas deklaratës publike, bëhej e ditur se konform legjislacionit “MPPTT-ja kërkon që të nisin procedurat e shkarkimit nga detyra të kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve, përkatësisht: kreut Hydajet Kopani, znj. Anila Kaçupi, z. Shyqyri Meka, z. Arjan Sinoimeri, me motivacionin për mosushtrim përgjegjësie të ngarkuar me ligj, pa ndonjë shkak të arsyeshëm”. Kjo kërkesë është justifikuar me “iniciativën që vjen si pasojë e neglizhencës së rëndë të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator gjatë procedurës së miratimit të metodologjisë së rregullimit të tarifave të organizmave me fuqi të ndjeshme në treg (OFNT) dhe mungesës së seriozitetit në ushtrimin e detyrës”. Në lidhje me këtë kërkesë, Ministria e Transporteve ka përsëritur edhe një herë ndjeshmërinë që ka në lidhje me aktivitetin e firmave të telefonisë celulare në vend, të cilat është duke i monitoruar.

Veprimet ligjore

MPPTT-ja ka përgjegjësinë ligjore të reagojë ndaj çdo fenomeni negativ që ndikon pa të drejtë në buxhetin e konsumatorit shqiptar të telefonisë celulare. Për shkak të mosveprimit të entit rezulton sipas statistikave zyrtare (Raporti i 4-t Observator i SEE-së (South Eastern Union) përgatitur nga Cullen International (30 nëntor 2007)); se “Shqipëria në fushën e telefonisë celulare klasifikohet në vendet me tarifat më të larta”. Pikërisht për këtë qëllim MPPTT-ja ka reaguar edhe më parë duke ndërhyrë direkt në veprimtarinë e kompanive celulare që veprojnë në vend, në të gjitha rastet kur janë konstatuar parregullsi. Një rast i ngjashëm u përsërit nga ministria në fillim të muajit janar, kur nëpërmjet një komunikimi zyrtar MPPTT-ja u kërkoi kompanive celulare në vend, që të dëmshpërblenin abonentët e tyre për të gjitha anomalitë në dërgimet e mesazheve “SMS” gjatë ditëve të festave të fundvitit. Kësaj kërkese të ligjshme kompanitë celulare në vend iu përgjigjën menjëherë duke vënë në dijeni klientët e tyre për anomalitë dhe duke u rimbursuar atyre më pas shumën e shpenzuar nga mesazhet e përsëritura. Në një formë të njëjtë MPPTT-ja ka vepruar edhe me operatorin më të ri në tregun e telefonisë celulare, duke kontrolluar veprimtarinë e tij dhe duke i kërkuar zbatimin e afateve ligjore për të hedhur në treg sinjalin e ri. E gjithë kjo veprimtari nga ana e MPPTT-së ka pasur lidhje edhe me kërkesën për monitoriomin e tarifave të kompanive të telefonisë fikse dhe celulare në vend dhe përafrimin e tyre me koston.

Kontrolli për tarifat
Tarifat e komunikimit që ofrohen nga operatorët e telefonisë celulare dhe asaj fikse do të monitorohen. Qëllimi do të jetë që çmimet të jenë afër kostos. Nisma e marrë me anë të projektligjit të ri “Për telekomunikacionet”. Projektligji përcakton që tarifat e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike vendosen nga sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike publike. “Në përcaktimin e tyre, sipërmarrësit duhet të synojnë orientimin e tarifave në kosto dhe në çdo rast duhet të shmangin përdorimin e tarifave abuzive, shpërdoruese dhe antikonkurruese”, thuhet shprehimisht në projektligj. Gjithashtu, përcaktohet se kompanitë e telefonisë duhet të publikojnë tarifat e shërbimeve dhe të mundësojnë informimin e publikut edhe nëpërmjet aksesit në distancë, nëpërmjet mjeteve të informimit publik për çdo ndryshim në tarifat e shërbimeve, jo më pak se 15 ditë përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›