E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKE, autoriteti i ri që zëvendëson ERT-në

Ekspertët në MPPTT shprehen se projektligji ka për qëllim rregullimin e tarifave dhe parandalimin e sjelljeve antikonkurruese. Për të vënë rregull në çmimet e shërbimeve të telefonisë dhe komunikimit, parashikohet ngritja e një enti të ri rregullator, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike (AKE). Ky do të jetë organi rregullator që ka të drejtë të aplikojë rregullimin e tarifave nëpërmjet një vendimi, për shërbimet e përfshira në skemën e shërbimit. AKE do të monitorojë dhe vlerësojë ecurinë e niveleve të tarifave në treg, në mënyrë që ato të jenë të bazuara në kosto. Nëse nga analizat që kryhen arrihet në përfundimin se nuk ka konkurrencë efektive, që nënkupton se në treg janë aplikuar tarifa të larta të paarsyeshme, ose tarifa të ulëta të paarsyeshme, në dëm të përdoruesve fundorë dhe nëse masat e parashikuara nuk mund ta normalizojnë gjendjen, AKE ka të drejtë të zbatojë rregullimin e tarifës në tregun përkatës, duke nxjerrë vendim të posaçëm për këtë qëllim. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike gjithashtu do të vlerësojë të dhënat më të fundit për praktikën më të mirë të vendeve të BE-së, tarifat mesatare të këtyre vendeve, tarifat e vendeve me zhvillim të ngjashëm me të Shqipërisë, raportet ndërmjet tarifave të shumicës dhe pakicës, fitimin e realizuar nga sipërmarrësit e tjerë të telekomunikacioneve në vendet e BE-së dhe në vendet me zhvillim të ngjashëm me atë të vendit tonë. Miratimi dhe hyrja në fuqi e një projektligji të ri për telekomunikacionet po vjen pikërisht në momentin kur tregu i komunikimit është tërësisht në pronësi private, që kur përfundoi procesi i privatizimit të Albtelekomit.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›