Krimet e Rënda rrëzojnë kërkesën e avokatit të Aldo Bares
Laureta Rryçi
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e avokatit të Aldo bares. Kolegji penal gjykoi se kresa për njëanshmëri të trupit gjykues ishte jo e drejtë dhe e pabazuar në prova. Burime nga kjo gjykatë pohuan dje për gazetën “Albania” se në seancë u dha vendimi mbi kërkesën e mbrojtjes. Kolegji penal kështu ka vendosur që procesi të vazhdohet të gjykohet nga të njëjtët gjyqtar. Procesi gjyqësor është në fazën dëshmitarëve të thirrur nga akuza. Dëshmia e një prej këtyre dëshmitarëve u bë dhe objekt për plasjen mes avokatëve dhe gjyqtarëve. Avokati i Aldo Bares, ngriti pretendimin e nuk mund të merrej për bazë dëshmia e personave që aktualisht rezultojnë në kërkim nga drejtësia shqiptare.
Përplasja
Avokatët e bandës së Lushnjës patën bërë një seancë më parë debate të ashpra me kolegjin penal të Krimeve të Rënda. Gjatë seancës së radhës, ku pritej të dëshmonin 12 dëshmitarë të akuzës, një prej avokatëve ka kundërshtuar dëshminë e njërit prej tyre. Sipas avokatit Vladimir Meçe, nuk ka se si të merret dëshmia e një personi i cili ka vetë probleme me drejtësinë. Duke mos gjetur një gjuhë të përbashkët me gjyqtarët, avokatët kanë kërkuar përjashtimin e trupit gjykues duke e cilësuar gjykimin e tij si të njëanshëm. Pas kësaj kërkese, kolegji penal ka ndërprerë procesin gjyqësor për të nisur sërish pas shqyrtimit të kërkesës së avokatëve.
Procesi
Në procesin e bandës së Lushnjës janë të pandehur 7 persona, mbi të cilët rëndon akuza e kryerjes së një sërë veprash penale të kryera vite me parë në Lushnjë. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 4 maj të vitit të kaluar, por për një vit me radhë gjykata i ka shtyrë seancat për arsye të mungesës së avokatëve si dhe preferencave të të pandehurve për trupin gjykues, që është ndryshuar disa herë. Ky është grupi i të pandehurve të ish- bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili është në proces gjykimi në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Ministria e Drejtësisë ka bërë të gjitha letër-porositë për ekstradimin e tij, mirëpo nuk ka ndodhur një veprim i tillë për shkak se Bare e ka apeluar në shkallë të ndryshme të drejtësisë në Turqi.
17 Tetor 2008