E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata, javën e ardhshme seanca ndaj “Bandës së Durrësit”



TIRANË - Ka dështuar dje seanca e radhës në ngarkim të të pandehurve të “Bandës së Durrësit”. Shkak për këtë është bërë mungesa e njërit prej gjyqtarëve të çështjes për arsye familjare. Në kushtet e mosformimit të trupit gjykues seanca u la për t’u zhvilluar javën e ardhshme. Të pranishëm në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda ishin disa nga të pandehurit e “Bandës së Durrësit”, të cilët më pas u transferuan serish në dhomat e paraburgimit të Tiranës. Të pandehur në këtë proces janë 17 persona, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale si vrasje të ndodhura disa vjet më parë, kryesisht në Durrës. Këta persona janë arrestuar këto tre vitet e fundit në operacione të organizuara nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Trajtim human i të dënuarve në Burgun e Vaqarit

TIRANË - Trajtimi i të dënuarve në aspektin human dhe njerëzor me synim integrimin e tyre në shoqëri është një nga prioritet kryesore të stafit të institucionit të Vuajtjes së Dënimit në Vaqarr. Në këtë institucion të sigurisë së zakonshme, i cili i ka fillimet nga viti 1999, vuajnë dënimin 185 persona, 17 prej të cilëve janë minorenë. Drejtori i këtij institucioni, Hiqmet Merepeza, një një prononcim për mediat tha se nisur nga problematika, kushtet dhe mosha, rëndësi i është kushtuar trajtimit human të këtyre minorenëve, të dënuar kryesisht për “vjedhje”, dhe në raste të rralla të dënuar për krime të “vrasjes”. Sipas tij, ky grup minorenësh, është i vendosur në një seksion të veçantë, pa lidhje me të dënuarit e rritur të këtij institucioni. Për problemet e të miturve nga ana ligjore si dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, ai vlerësoi bashkëpunimin me Klinikën Ligjore si dhe CRCA, nëpërmjet programeve të veçanta dhe angazhimit periodik të tyre. Këto bashkëpunime, theksoi ai, kanë mundësuar ndihmave për minorenët e burgosur, kryesisht libra të moshës së tyre, dhurata, veshje sportive, në mënyrë që kohën e lirë ta kalojnë sa më mirë. Ai vlerësoi dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, e cila ka mundësuar vënien në dispozicion të një grupi mësuesish nga shkolla e Vaqarit, për ata minorenë që nuk e kanë përfunduar ciklin e detyruar mësimor, duke i pajisur ata me certifikata pas mbarimit të këtij cikli. “Nisur nga fakti se një pjesë e mirë e minorenëve i kanë kryer veprat penale në rrethana të çastit, është parë mundësia e dhënies së dënimeve alternative për këtë kategori si dhe futja e shërbimit të provës”, tha Merepeza. Nëpërmjet këtij shërbimi, nënvizoi ai, i cili do të vihet së shpejti në efiçencë, synohet që këta minorenë të mos përfundojnë në burg për kryerjen e veprave apo kundërvajtjeve të vogla penale. Sipas tij, dhënia e mundësive alternative do të ndikojë në reflektimin e tyre, duke iu shmangur rrugës kriminale. Krahas sektorit të minorenëve, brenda këtij institucioni ndodhet edhe një seksion të rriturish, të dënuar për vepra të ndryshme penale. Merepeza nënvizoi se puna e stafit me këtë kategori është më e lehtë, pasi pjesa më e madhe e të dënuarve janë të penduar për veprat që kanë kryer. Edhe trajtimi i kësaj kategorie, është i përqendruar më shumë në aspektin social, sidomos në kontaktet me familjarët. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve janë krijuar lehtësira për këtë kategori të dënuarish si në oraret e ajrosjes, sidomos në periudhën e verës. Për trajtimin e barabartë të të dënuarve, pavarësisht prejardhjes, veprave penale që kanë kryer, kujdes është treguar për trajnimin e stafit, si atij civil, ashtu edhe policor. Merepeza u shpreh se rreth 90 për qind e stafit policor, janë trajnuar brenda dhe jashtë vendit

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›