E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Skafet e bllokuara ne Korfuz nuk jane nisur nga brigjet shqiptare



SARANDË - Komandanti i policisë kufitare për qytetin e Sarandës, Ilir Gjoçi, tha dje për gazetën “Albania” se dy skafet e bllokuara tre ditë më parë nga policia kufitare e Korfuzit (Greqi) me dyzetë klandestinë në bord, që të gjithë me origjinë në vendet afrikane, nuk janë nisur nga brigjet e Shqipërisë. Në një prononcim për mediat komandanti Gjoçi reagoi ndaj lajmeve të publikuara, duke sqaruar se “dy skafet me klandestinë, të bllokuara nga policia kufitare greke, janë nisur nga qyteti i Igumenicës dhe se shumë shpejt autoritetet greke do të publikojnë konkluzionet e hetimeve lidhur me këtë rast”. Komandanti i policisë kufitare informoi ndër të tjera se nga komunikimi i tij me homologët grekë ka mësuar se dy skafet që u bllokuan në ishullin e Korfuzit ishin marrë me qira nga trafikantët në qytetin grek të Igumenicës, rreth 80 kilometra larg Janinës. Policia Kufitare e qytetit të Sarandës mbulon aktualisht 82 kilometra vijë bregdetare dhe 45 kilometra vijë tokësore kufitare me Greqinë. Gjatë 9 mujorit të parë të këtij viti janë ndaluar në afërsi të vijës së gjelbër 4 mijë emigrantë të paligjshëm, ndërkohë që njëzetë persona po ndiqen penalisht nga Prokuroria e Sarandës.

17 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›