Kurbin, bari i minjve helmon nxënësit dhe mësuesit e shkollës
KURBIN – Hapja e një qeseje që mbante ilaç minjsh në mjediset e një shkolle të mesme është bërë shkas që të përfundojnë në spital në gjendje të rëndë 3 gjimnazistë dhe dy mësues. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në shkollën e mesme Gorre, të komunës Fushë Kuqe, të rrethit të Kurbinit. Sipas burimeve në vendngjarje, në korridorin e katit të parë të kësaj shkolle një nga nxënësit ka parë një qese të hedhur rastësisht në një kënd, dhe më pas e ka hapur. Kjo ka shkaktuar shpërndarjen e një sasie lënde në hapësirë, e cila ka prekur të gjithë personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Për pak minuta të gjithë nxënësit dhe mësuesit kanë shfaqur probleme serioze. Drejtori i shkollës së mesme të përgjithshme, zoti Luigj Deda ka urdhëruar nxjerrjen nga mjediset e shkollës të të gjithë nxënësve dhe trupës pedagogjike të kësaj shkollë, duke pasur frikë se ishte hedhur me dashje lëndë helmuese. Sipas Prelës, “simptomat e paraqitura nga nxënësit dhe mësuesit ishin se ato dridheshin të tërë, kishin të vjella dhe qëndronin në gjendje të ngurtësuar. Simptomat shfaqeshin sërish pas disa minutave. “Në këto kushte ne kemi dërguar nxënësit dhe mësuesit në spital, ndërsa policia ka ardhur menjëherë në shkollë, duke kryer edhe ekspertizën dhe marrjen e të dhënave. Drejtori i shkollës Deda thotë se “helmimi i fëmijëve ka ardhur për arsyeje se nxënësit kanë hapur një qese që e kanë gjetur në korridore, e cila kishte një mbishkrim në gjuhën italiane: në një stampë thuhej se “qesja nuk duhej të hapte pasi ishte nervoparalelizuese dhe përdorej për asgjësimin e minjëve”. Policia e Kurbinit ka dhënë një tjetër version që sipas saj, nxënësit janë helmuar nga një ushqim me mbishkrim kinez. Sipas saj, “është ushtruar kontroll në të gjithë mjediset dhe pikërisht në katin e parë të kësaj shkolle është gjetur dhe sekuestruar një qeskë plastmasi me mbishkrimin “CARDPOND” e prodhimit kinez dhe disa mbishkrime në gjuhën italiane, ku përkthehet. “Mos e prek”, “mos e hap se ka efekt turbullues”. Personat e helmuar, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Laçit janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë ku edhe kanë marrë mjekim më të specializuar dhe që sipas mjekëve ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas drejtorit Deda, janë pesë persona, tre nxënës dhe dy mësues, ku njëra nga mësueset është edhe bashkëshortja ime. Ai thotë se ka qenë ora 11.00 e ditës së enjte kur ka ndodhur helmimi. Të gjithë të prekurit kishin temperaturë dhe të vjedhura dhe dridheshin të tërë. Kreu i shkollës së mesme në Fushë Kuqe pohon se policia ka sekuestruar qesen dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e gjithë ngjarjes.
TË HELMUARIT
Rudina Vata, 17 vjeçe, nxënëse
Diana Ndoj, 16 vjeçe, nxënëse
Esmeralda Vuthi, 16 vjeçe, nxënëse
Rake Deda, 55 vjeçe, mësuese.
Drane Jaku, 50 vjeçe, mësuese
Ndalohen tre kosovarë në port, po kalonin me leje false drejt Italisë
DURRËS – Edhe tre shtetas nga Kosova janë ndaluar pasi dyshohet se përdornin leje qëndrimi false, përmes të cilave tentuan të kalonin nga Porti i Durrësit drejt Italisë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 23:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Afrim Jakupi, lindur dhe banues në fshatin Recak të Shtimjes në Kosovë. Sipas tyre, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe në ngarkim të dy bashkëqytetarëve të tij, përkatësisht; Albert Imeri, 25 vjeç, lindur dhe banues ne Recak dhe motrës të tij, Qerime Imeri, 19 vjeçe. Procedimi penal në ngarkim te këtyre shtetasve filloi për arsye se pasditen e së mërkurës, në sheshin e Trageteve të Portit Detar personat e mësipërm janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit duke tentuar të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, pasi kishin paraqitur dy pasaporta zvicerane me gjeneralitete të dy shtetasve të tjerë. Për të tre rastet kanë nisur veprimet hetimore dhe materialet për veprat penale te dhënies ndihme për kalim të paligjshëm kufiri dhe falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së rrethit të Durrësit. Vetëm gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar me dhjetëra raste të tentativës së kalimit drejt Italisë me pasaporta apo dokumente të tjera false nga shtetas të ndryshme nga Kosova, Maqedonia apo vende të tjera të rajonit.
17 Tetor 2008