E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqipëria do mbetet vend me rritje ekonomike

28-09-2012 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë në work-shopin për ekonominë


“Shqipëria ia doli të ruajë rritje ekonomike në 4 vitet e fundit, 4 herë më të madhe se mesatarja e vendeve të rajonit, ndonëse ndjeu pasoja e krizës, Shqipëria nuk ra në recesion”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij në konferencën për rritjen ekonomike, ku theksoi se “modeli ekonomik funksionoi, por ka nevojë për një përmirësim të mëtejshëm në vitet që vijnë në mënyrë që ne të mbetemi vend me rritje ekonomike”. Sipas tij, në mbajtjen e rritjes ekonomike kanë ndikuar një sërë faktorësh që janë liria ekonomike, investimet në infrastrukturë, vendosja e taksës së sheshtë dhe heqja e një pjese të pengesave për biznesin. “Institucionet që e faktojnë lirinë ekonomike thonë se Shqipëria vrapoi. Ajo zbriti nga pozicioni i 84-rt në pozicionin e 12-të, në një pozicion të lakmueshëm në lirinë fiskale”, u shpreh Berisha, i cili shtoi se ambicia e tij ishte për një rritje ekonomike dyshifrore, duke bërë krahasimin me vitin 2008 ku pati një rritje prej 5.2 %, por tha ai kriza pati ndikimet e veta dhe rritja ekonomike u përgjysmua. “Shqipëria mbeti si një ishull në raport me vendet e tjera për rritjen ekonomike. Shqipëria ka një borxh publik rreth 60 %, por është i tëri i kontraktuar me ligjin e artë të ekonomisë, që këshillonte borxh vetëm për investime dhe borxhi i Shqipërisë është vetëm për investime”. Kryeministri shfaqi interesin e tij për mendimet e ekspertëve të ekonomisë, mënyrë që të ruhet rritja ekonomike, ku duhet të ndërhyhet dhe ku duhet përmirësuar e ndryshuar. Sipas tij ky model ekonomik ka nevojë për konsulta për t’u konsoliduar më tej. “Kjo ekonomi dhe kjo rritje nuk është në monokulturë, është rritje në diversifikim. Ideja se Shqipëria nuk është aq e lidhur me tik- tak-un e orës globale është naive. Shqipëria është e detyruar dhe ndjek tik- tak-un e kësaj ore. Shqipëria ka avantazhet e saj, sepse ka një ekonomi reale në zhvillim, ekonomia shqiptare nuk u bazua në shërbime por në prodhim, fakti që ia del të dyfishojë eksportet është dëshmia më e qartë e saj, theksoi kryeministri, i cili duke iu referuar citimit të ekonomistit Robert Lukas tha se: çështja e rritjes ekonomike është aq pasiononte saqë ndonjëherë kur flet për të, nuk mendon dot për gjë tjetër. Ju garantoj se edhe unë nuk mendoj dot për gjë tjetër”. Kryeministri e trajtoi rritjen ekonomike si kryeçështjen e programit të tij qeverisës, e cila është gjenerator i punësimit, mirëqenies, zhvillimit dhe të ardhurave. Sipas tij, ky takim hap siparin e një konsulte të gjerë me grupe të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Gjatë këtij takimi, kryeministri deklaroi se qeveria do të angazhohet për ngritjen e një banke kombëtare zhvillimi, që do të nxisë bizneset me financim si dhe bëri të ditur se në 1 janar do të hiqet edhe TVSH-ja për makineritë e prodhimit. “Duhet menduar krijimi i një banke zhvillimi, natyrisht me destinacion në sektorë të ndryshëm. Nuk duhet hequr dorë nga prodhimi i madh i komoditeteve. Ne besojmë se pa ndërtuar një infrastrukturë bazë, nuk mund të bëhet fjalë për nxitje të prodhimit të tyre. Do përqendrohemi në bujqësi, pasi është një nga mekanizmat më të mirë për të bërë balancën tregtare”, deklaroi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›