Astrit Patozi: Vendim i prerë, Edi Rama ka vendosur të bllokojë

Kreu i grupit parlamentar demokrat: Rama u thotë shqiptarëve se s’mund të shkojmë drejt BE-së pa zgjidhur problemin e ‘Bubullimës’
Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi u shpreh dje në Kuvend se, Edi Rama ka marrë një vendim të prerë, të bllokojë me çdo kusht integrimin e vendit në BE.
Sipas tij, lidershipi socialist po përdor metodat më primitive për zvarritjen e reformave, aq sa ka shpërqendruar nivelin e debatit në zhvillime lokale. Patozi u shpreh se, integrimi nuk kalon nga Fieri dhe se mazhoranca është e vendosur për të mos bërë asnjë lloj pazari me opozitës në këtë nivel kaq të ulët.
“Qofsha i gabuar, por mendoj se shumica e deputetëve të Partisë Socialiste nuk e njohin, madje nuk i dinë as emrin, pretendentit për kryetar të Këshillit të Qarkut të Fierit. Kam prirjen të besoj se për ta ka më shumë rëndësi integrimi i Shqipërisë në BE, se sa më pak i rëndësishmi pushtet lokal në një qark të vendit. E theksoj këtë, më pak i rëndësishmi pushtet lokal. Por Edi Rama dhe ata që marrin vendime në emër të tyre mendojnë se rruga jonë për në Bruksel kalon patjetër nga Fieri. Dhe kjo nuk është politikë. T’i vëmë emrin që ka. Ky është thjesht bllokim primitiv. Sot duhet të diskutonim për ligjin e Gjykatës së Lartë dhe ne natyrisht do të mirëprisnim edhe vërejtjet apo sugjerimet e opozitës, sepse nuk mendojmë, që drafti që kemi sjellë është perfekt. Sigurisht që Partia Socialiste ka ekspertë të shquar dhe sigurisht që ligji mund të përmirësohej. Por si mund t’i thithnim ne vërejtjet e opozitës, kur i vetmi amendament i saj për ligjin e Gjykatës së Lartë është kërkesa për zyrën e kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit? Do të ishte naivitet të mendoje se Edi Rama dhe Partia Socialiste pas tij e ka marrë këtë qëndrim vetëm për fatin politik apo karrierën e një personi. Sigurisht që ka një arsye tjetër, që sot nuk thuhet. Po cilido që të jetë motivi, ai është i dobët, sepse mbi të gjitha pazari është i ulët”, u shpreh Patozi.
Deputeti demokrat tha se, për mazhorancën nuk ka rëndësi nëse qeveris një qark më shumë apo më pak, por është ligji ai që vendos.
“Në fakt, e gjithë historia e komunikimit politik mes mazhorancës me opozitën, në gjithë këto vite që Partia Socialiste drejtohet nga Edi Rama, është e mbushur me ngjarje dhe aksidente të tilla. Çdo hap i bashkëpunimit të detyruar ka pasur në sfond disa kushte, dhe në finale fare kërkesën apo ofertën për të bërë pazar. Ne as japim, as heqim mandate. Ne nuk na lejohet të bëjmë pazare, aq më tepër për karrigen e një kryetari qarku. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse mjerim i opozitës. Duke refuzuar pazaret kjo mazhorancë po i ruan nderin edhe opozitës. Në BE nuk do kalojnë vetëm shqiptarët e mazhorancës. Qëndrimi ‘na jepni Fierin se ju japim integrimin’ është pa logjikë. Sot ishte një rast për të treguar se sa seriozisht e marrim ne BE-në”, theksoi kryetari i grupit parlamentar të PD-së.
Ai e cilësoi sjelljen e opozitës si mjerim të saj dhe e dhënë pas allish-verisheve politike.
“Ndaj edhe duke refuzuar pazaret, kjo mazhorancë po i ruan në një farë mënyre edhe nderin opozitës. Një gjë, që ajo as nuk do, por ndoshta as nuk di që ta bëjë vetë”, tha ai. Ndërsa theksoi se, me miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë Shqipëria jep një mesazh serioz, rreth procesit të integrimit, por tha ai, Edi Rama u thotë shqiptarëve se integrimi kalon nga ‘Bubullima’.
“Sot ishte një tjetër rast i mirë për të treguar se sa seriozisht e marrim ne procesin e integrimit të vendit. Me siguri që shqiptarët janë lodhur me përgjërimet tona për Bashkimin Europian, janë mërzitur me tregimin e gishtit nga kundërshtari, si shkaktari i ngadalësimit, dhe presin që kjo histori e palavdishme të mbarojë një ditë. Ndaj edhe retorika nuk ka më asnjë vlerë. Kërkohen thjesht dhe vetëm prova. E mira e do që një parti serioze, të mos gjejë asnjëherë pretekste, sa herë që i duhet të merret vesh me kundërshtarin, por në rast se kjo i është kthyer në zakon, të paktën të gjejë pretekste inteligjente, që t’i ruajnë fytyrën para publikut dhe partnerëve. Ti nuk mund t’i thuash sot shqiptarëve dhe vendeve të BE që ne nuk kemi ndërmend të shkojmë në Bruksel, pa zgjidhur problemin e Bubullimës dhe të Libofshës, me gjithë respektin që kam për këto treva. Sepse s’ta pranojnë as ata vetë, që banojnë atje”, tha ai.