“PS-ja po cenon sigurinë kombëtare me nxjerrjen e sekreteve ushtarake”

Reagon ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, paralajmërohet një hetim e reformë më e thellë strukturore: “Mbeturinat e Sigurimit ende ekzistojnë në aparatin administrativ dhe burokratik”
“Dokumentet që PS i ka botuar në gazetat e saj dhe që i ka bërë sërish publike deputeti Braçe, kanë siglën sekret. Vetëm ky akt përbën në thelb një cenim të sigurisë kombëtare, pa folur që mundësitë dhe mjetet ligjore për t’u informuar Partia Socialiste nuk i ka shteruar në këto muaj të një sulmi të pa principatë personal mbi Ministrin e Mbrojtjes”.
Kështu u shpreh dje Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, në përgjigje të akuzave të opozitës, ndërsa doli dje në një konferencë për shtyp, së bashku edhe me drejtori i SHIU-t, kolonel Ilir Balliu.
Në përgjigje të akuzave të PS-së, lidhur me blerjen e armëve dhe pajisjeve për llogari të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Imami bëri të ditur se, “Lidhur me blerjen e pajisjeve dhe armëve, sqarojmë se fusha e veprimtarisë operacionale të SHIU-t si një agjenci e inteligjencës ushtarake shtrihet brenda Forcave të Armatosura dhe si një prej agjencive të inteligjencës ushtarake të NATO-s shtrihet në teatrin e operacioneve të Aleancës. SHIU duke qenë një agjenci e inteligjencës ushtarake nuk mund të prokurojë gjë tjetër përveçse pajisjeve, sistemeve dhe armatimit që janë në mbështetje të misionit të tij. Megjithëse në mungesë të plotë të shpresës se Partia Socialiste mund të reflektojë mbi të dhënat e faktet, informojmë që një pjesë e pajisjeve të autorizuara për blerje, për arsye administrative nuk janë realizuar. Pajisja e personelit të kontingjenteve të SHIU-t në misione është plotësuar me armatimin dhe pajisjet e njësive të tjera të Forcave të Armatosura. Blerja e pajisjeve në fjalë është bërë mbi bazën e legjislacionit për blerjen e mallrave ushtarake. Lidhur me datën e kësaj blerje, Ministri i Mbrojtjes e ka firmosur procedurën e nisjes së blerjes më 19 janar mbas kërkesave operacionale të SHIU-t që datojnë shumë më herët, ndërsa blerja e tyre është bërë më vonë”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.
Më tej, Ministri Imami, akuzoi organizatorët e 21 janarit brenda radhëve të PS-së, ndërsa shtoi se sjellja e papërgjegjshme e kësaj partie në trajtimin e çështjeve të sigurisë kombëtare, tregojnë se ajo është e paaftë për të drejtuar institucionet shtetërore.
“Vetëm ato që e dinë se çdo të ndodhte dhe e organizuan 21 Janarin, mund të përgjigjen për këtë datë dhe ato janë në partinë e zotit Braçe.
Partia Socialiste nuk ka pse të trembet, sepse Ministria e Mbrojtjes nuk është ajo e Beqir Ballukut që do të rrethonte Komitetin e Partisë së Tiranës, ku sot ndodhet Komiteti Qendror i Partisë Socialiste, nga ku shpërtheu me zemërim zoti Braçe, por ajo do të duhej të shqetësohej me seriozitetin dhe konfidencialitin e nevojshëm për pajisjen sa më të mirë të SHIU-t. Trajtimi i papërgjegjshëm i çështjeve të sigurisë kombëtare dhe shndërrimi i tyre në pazare tregon se Partia Socialiste është e papërgatitur, e paaftë dhe e papërshtatshme për të drejtuar institucione të kësaj rëndësie kombëtare”.
Gjithashtu ministri Imami e akuzoi Partinë Socialiste edhe për bllokimin e Integrimit dhe se sipas tij, “sulmet e përsëritura të Partisë Socialiste nuk e përjashtojnë atë nga përgjegjësia historike e bllokimit dhe sabotimit të reformave legjislative për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Sot Partia Socialiste do të ishte e udhës t’i shpjegonte qytetarëve shqiptarë pse po bllokon ligjin për administratën publike dhe ligjin për Gjykatën e Lartë”, vijoi Imami, duke ju përgjigjur më tej edhe interesimit të mediave.
Keni konstatuar diçka të re në deklaratën e sotme të PS në adresën tuaj dhe pse i mëshoni deklaratës tuaj kaq shumë elementëve të sekretit shtetëror?
Për hir të së vërtetës duhet të themi se është si vera e vjetër në shishe të reja, ndërrohen vetëm shishet, pra është e njëjta gjë që është thënë gjatë këtyre muajve dhe u provua se nuk ka as një fakt të ri. Nuk ka asnjë fakt të vërtetë për një pjesë të mirë të çështjeve. I kam sqaruar në Komisionin Parlamentar, për të tjerat që kanë le të zbatojnë proceduarat parlamentare. Për fat, e kam thënë edhe herë tjetër, komunikimi mes mazhorancës dhe opozitës është tejet i vështirësuar për shkak edhe të mungesës së kryetarit të Partisë Socialiste në Parlament. Në vend që sot të sqaroja kryetarin e PS-së jam i detyruar të sqaroj deputetin Braçe, që del në karrigen e kryetarit të PS nga godina e saj. Le të shpresojmë që pas zgjedhjeve kjo gjë do të zgjidhet dhe do t’i japim mundësi z. Rama nga karrigia e z. Braçe ta sqarojmë. Lidhur me sekretin, së pari Ministria e Mbrojtjes është një ministri e Aleancës dhe ka rregulla të forta lidhur me këtë gjë. Së dyti, është e pafalshme që dokumente që mbajnë siglën sekret dalin jashtë, është e pafalshme që dalin në disa gazeta të lidhura ngushtë me PS, është e pafalshme që deputetët socialist kërkojnë të dhëna për dokumente të tilla sekrete nëpër konferenca për shtyp. Të veprosh kështu tregon se, siç e thashë, janë të pa aftë, nuk kanë kapacitet për të mbajtur përgjegjësi shtetërore, sepse procesverbali i mbledhjes së Komisionit të Sigurisë u botua nëpër gazeta. De fakto u botua ashtu siç ishte thënë fjalë për fjalë, siç ishin thënë gjërat. Dua të nënvizoj faktin që kemi blerë dhe do të vazhdojmë blerjet për gjithçka që i shërben modernizimit të FA-së mbështetur në burimet që kemi, burime të cilat janë padyshim ligjore.
Dokumentet zyrtare i janë dhënë PS në mënyrë zyrtare apo ato i kanë gjetur nga ndonjë burim tjetër?
Jo. Do të hetojmë për këtë çështje.
Pra ju do të hetoni, do të thotë se dikush nga brenda ministrisë i ka dhënë këto?
Në fakt këto dokumente Sigurimi i Shtetit mesa duket i posedoi vonë, e kam fjalën më vonë se sa takimi dhe mbledhja që patëm në Komisionin Parlamentar të Sigurisë dhe kjo është dhe arsyeja që po them. Po, këto janë mbeturinat e Sigurimit të Shteti, këto janë mbeturina të mendësive të Sigurimit të Shtetit dhe janë mbeturina që ende ekzistojnë në të gjithë aparatin tonë edhe administrativ dhe burokratik.
Jeni kthyer nga opozita në një burim akuzash. Do të thotë që ka disa akuza, mbikëqyrja parlamentare, reklamat shtetërore, aktualisht është vënë SHIU nën akuzat e PS-së. Mendoni se kjo është një luftë e opozitës ndaj qeverisë apo një luftë personale ndaj Arben Imamit?
Me thënë të drejtën që këtu ka një element të fortë personal këtë e kuptoj dhe kjo është e lexueshme. Është e pafalshme që për të goditur një politikan të goditet një politikë apo një institucion. Unë e mbaj pjesën time dhe nuk kam problem, kam vite që kam mbajtur ngarkesa në këtë vend. Sa i përket burimit, ai është një burim i vazhdueshëm, ka disa aktorë në këtë çështje, të cilët do të çmontohen pjesë-pjesë mbi bazë të ligjit, mbi bazë të të vërtetave. Ka edhe të vërteta, siç janë reformat e kryera në këtë vend. E rëndësishme është të thuhet se PS po e përdor sulmin ndaj SHIU-t. Kjo është e papranueshme në thelb, sepse SHIU është një organ shumë delikat, një instrument shumë i rëndësishëm i vendit dhe i Aleancës, ndaj nuk mund të sulmohet për pazaret që i dështuan z. Rama gjatë verës që shkoi. Ripërsëritja e tyre më duket se do të bëjë pazaret e reja të Ramës, por Rama dhe PS-ja do të bëje mirë të përgjigjet për bllokimin e reformës dhe të gjejë fajtorët e SHIU-t, aty ku po i thërret drejtësia.