E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmontimi i armatimeve, nga firma e Delijorgjit

Delijorgji: “Kanë qenë rreth 3 mijë ton municione të prodhimit kinez të vitit 1960-1965”
TIRANË- Tragjedia e djeshme në Gërdec të Vorës, ka deri tani një fajtor: kushtet e këqija të punës dhe mungesa e sigurisë. Fillimisht u propagandua nga qeveria shqiptare se çmontimi i predhave të ushtrisë në këtë vend po kryhej nga një kompani amerikane dhe ishte projekt amerikan. Në këtë mënyrë, qeveria u mundua që t’i jepte pak siguri njerëzve por pas tragjedisë vetë Ambasada Amerikane në Tiranë konfirmoi se nuk ka asnjë projekt apo kompani të SHBA-së që po merret me këtë punë. Më pas, ishin burimet e Ministrisë së Mbrojtjes që shpjeguan se nënkontraktor është një firmë shqiptare, e cila ka si pronar Mihal Delijorgjin.
***
Vetë kryeministri shqiptar Sali Berisha konfirmoi dje se çmontimi i predhave të ushtrisë po bëhej nga një kompani amerikane. Madje ai pohoi edhe emrin e saj, “Southern Ammonition”. Por një kontroll i thjeshtë në faqen e internetit të kësaj kompanie tregon se ajo është e specializuar në çmontimin dhe prodhimin e fishekëve të pistoletave dhe pushkëve të ndryshme, por jo të predhave të kalibrit të madh të ushtrisë shqiptare. Më pas, ishte radha e Ambasadës Amerikane në Tiranë që të mohonte çdo lidhje të firmave të SHBA-së me këtë çështje. “Nuk ka asnjë firmë amerikane që po merret me çmontimin e predhave në Shqipëri. Ky nuk është një projekt i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne nuk kemi asnjë lidhje”,- pohuan burimet zyrtare të Ambasadës. Edhe vetë punonjësit që janë marrë me çmontimin e predhave, por edhe të afërmit e tyre në fshat, nuk kanë qenë të sigurt nëse bëhej fjalë për një firmë amerikane apo jo. Ata kanë shpjeguar se fillimisht aty janë paraqitur disa shtetas amerikanë, në rolin e ekspertëve. Por ata nuk kanë bërë trajnime për punëtorët. E vetmja gjë që kanë bërë ekspertët amerikanë, ka qenë të këshillojnë punëtorët që të mos pinin cigare pranë barutit.
***
Burime nga Ministria e Mbrojtjes pohuan dje për “Shekullin” se firma që po bën çmontimin e predhave është shqiptare dhe pronari i saj është Mihal Delijorgji. Ata u shprehën të bindur se kjo është firma e vetme që po merret me çmontimin e predhave. Vetë Mihal Delijorgji ka shpjeguar dje disa detaje mbi procesin e çmontimit të predhave dhe shpërthimin e ndodhur. “Kanë qenë rreth 3 mijë ton municione të prodhimit kinez të vitit 1960-‘65. Bëhet fjalë për predha të kalibrit 105-150 milimetër. Zjarri ka filluar fillimisht rreth orës 12.00 dhe pas 10 minutash ka ndodhur shpërthimi i madh. Kjo kohë është shfrytëzuar nga punëtorët për t’u larguar nga reparti. Brenda fabrikës kanë qenë rreth 80 punëtorë që po bënin pushimin e drekës. Ata janë strehuar në godina dykatëshe dhe kanë marrë vetëm plagë të lehta e djegie. Shpërthimi ka qenë në lartësi e jo në gjerësi”,- ka pohuar dje Mihal Delijorgji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›