Drejtori: Katër punëtorë nuk përgjigjen në telefon
Drejtori i fabrikës çmontuese të kompanisë shqiptare, Dritan Minxholli ka shpjeguar dje momentet e tmerrshme të shpërthimit. Ai ka pohuar se në momentin e shpërthimit, një pjesë e punëtorëve ishin në orarin e drekës. Të paktën katër prej punëtorëve nuk janë përgjigjur në apelin e bërë pas ngjarjes. Ata nuk janë përgjigjur as në telefon.
Zoti Minxholli ku ndodheshit në momentin e shpërthimit?
Në momentin e shpërthimit unë ndodhesha në derën kryesore të fabrikës. Ishte ora rreth 12 e drekës dhe isha së bashku me një punonjës të fabrikës në makinë. Në atë moment sa po dilnim jashtë. Orari nga 12 deri në 12:30 është orari i pushimit të drekës dhe një pjesë e punëtorëve kishin filluar të hanin drekë. Pikërisht në këtë moment, rreth dy apo tre minuta më pas ka filluar gjithçka. Saktësisht, nuk di ç’të them se çka ndodhur.
Si filloi shpërthimi?
Më thanë që ka pasur një zjarr përbrenda fabrikës. Fillimisht u dëgjuan disa krisma apo shpërthime të vogla dhe për punë 10 apo 12 minutash kanë ardhur dy deri në katër shpërthime relativisht të mëdha, të cilat pas gati 15 minutash të tjera u shoqëruan me një shpërthim shumë më të mëdha se të parët.
Sa veta ishin brenda në fabrikë?
Në atë moment, në fabrikë ishte një numër i konsiderueshëm punëtorësh. Megjithatë, numrin e saktë unë nuk di ta them sepse ai ekziston në dokumentacione.
Si u larguat ju vetë nga vendi i shpërthimit?
Në atë moment, siç e thashë, pra rreth orës 12:01 minuta, unë ndodhesha në rrugën kryesore në hyrje të fabrikës pasi kisha dalë jashtë prej saj, së bashku me një punëtor tjetër. Në momentin që u dëgjuan ato shpërthimet e lehta të para, unë u ktheva prapë. Aty pashë disa punëtorë që po dilnin jashtë. U mundova që të kontaktoj me ta, por në atë moment që iu afrova derës ndodhi shpërthimi i dytë, vala e të cilit më zhvendosi rreth 7 deri në 8 metra larg. Më pas u larguam dhe u strehuam poshtë një ure, e cila ndodhej në afërsi të fabrikës. Aty kam pasur kontakt me disa punëtorë të tjerë derisa ka ardhur një furgon që na ka larguar.
Pati shumë punëtorë që u larguan së bashku me ju?
Një numër i konsiderueshëm punëtorësh janë larguar, nisur edhe nga fakti se ishin në kohë pushimi me rastin e drekës.
Cili ishte shkaku i këtij shpërthimi?
Nuk mund të them se cili ishte shkaku, pasi edhe unë vetë nuk u futa në fabrikë dhe nuk kam pasur kontakt me asnjë nga punëtorët që në atë moment ishin brenda fabrikës.
A bëtë një bilanc paraprak se cilët punëtorë kishin shpëtuar?
Një pjesë e punëtorëve që u larguan së bashku me mua, ishin të shokuar nga ajo që ndodhi. Kemi ndenjur për kohë relativisht të gjatë me ta pas shpërthimit, pra, pranë fabrikës dhe më pas kemi marrë ndihmën e parë të shpejt. Gjatë kësaj kohe kam pasur lidhje me dy-tre njerëz që ishin dhe njerëzit e mi më të afërt aty brenda.
Kanë shpëtuar?
Nga telefonatat e para, kam të dhëna se ka njerëz që ndodhen në spital me djegie të rënda. Ka dhe njerëz të cilët nuk më janë përgjigjur në telefon.
Sa veta nuk u janë përgjigjur telefonatave?
Vetëm katër persona.
Ndërkohë, shpërthimet vazhdojnë...
Normalisht mund të ketë shpërthime sepse për shkak të punës që ne kishim marrë përsipër të kryenim ishim të vetëdijshëm për rrezikun, ashtu siç ka ekzistuar prej kohësh. Ne kishim pothuajse një vit që punonim aty dhe njerëzit që punonin aty kanë qenë të lajmëruar me detaje për rrezikun dhe riskun që mbart përpunimi i këtij materiali.
Ju thatë që një pjesë e mirë e punëtorëve janë larguar me vrap...
Në momentin që ka ndodhur krisma e parë duhet thënë se u krijua dhe një kaos total dhe njerëzit kanë dalë nga dera kryesore, ashtu dhe nga dera e pasme e fabrikës.