Klejdi Kote: Më lironi, ka mbaruar dënimi
Mashtruesi më i njohur në Shqipëri kërkon lirimin nga burgu duke pretenduar se ka përfituar tre vjet ulje nga amnistia
TIRANË- Mashtruesi më i famshëm shqiptar kërkon nga gjykata që të lirohet sepse i kanë mbaruar prej kohësh vitet e burgut. Bëhet fjalë për Klejdi Koten, personazhin më të njohur në botën e krimit në Shqipëri gjatë viteve 1999-2000.
Në atë kohë ai arriti që të grabiste 250 milionë lekë nga një bankë vetëm duke përdorur dokumente të falsifikuara. Krimi i parë elektronik në Shqipëri mbante emrin e Klejdi Kotes dhe është kryer duke zbatuar një skemë perfekte mashtrimi. Ndërsa arrestimi i tij është bërë fare rastësisht teksa kalonte me biçikletë, si për karshillëk, përpara policisë së kryeqytetit.
Kërkesa
Klejdi Kote është dënuar nga gjykata me 11 vjet heqje lirie për veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit. Vendimi është dhënë në vitin 2000, pak kohë pas arrestimit të tij. Duke bërë një llogari të thjeshtë, Kote ka kryer nëntë vite burg dhe i kanë mbetur ende dy të tjerë.
Por i dënuari pretendon se mbi të është zbatuar një prej amnistive të shumta, e cila i ka ulur tre vite dënimi. Në këto kushte, sipas pretendimit të vetë të dënuarit, atij ka një vit që i ka përfunduar dënimi. Kote ka përpiluar vetë të gjitha dokumentet dhe i ka dorëzuar në gjykatë duke kërkuar lirinë.
Në seancën e djeshme, gjyqtari Martin Deda, është njohur me aktet e paraqitura nga vetë Kote si dhe më kërkesën e tij për lirim nga burgu. Në fjalën e tij Kote ka shpjeguar se si ka përfituar nga amnistitë dhe përse duhet të lirohet nga burgu ku ndodhet që prej vitit 2000.
Pas kësaj gjyqtari i ka lënë kohë prokurorisë që të njihet me dokumentet e të dënuarit dhe në fund të shprehet edhe ajo nëse duhet liruar apo jo.
Mashtrimi
Në vitin 1999 njëra prej Bankave të Kursimeve raportoi se i ishin vjedhur 250 milionë lekë të vjetra, një shumë tepër e madhe për kohën. Kjo alarmoi policinë e Tiranës, e cila u habit edhe më shumë kur mësoi se grabitja ishte kryer pa vënë në përdorim armët apo dhunën.
Një djalë i ri kishte hyrë qetësisht në bankë dhe kishte paraqitur dokumentet sikur ishte trashëgimtari dhe pasardhësi i një biznesmeni nga Berati, i cili sapo kishte vdekur. Me një certifikatë vdekjeje në dorë, një grua që thoshte se ishte e veja e biznesmenit dhe me aktin e trashëgimisë, Kote i ka kërkuar arkëtares që t'i jepte shumën e merituar.
Një verifikim i shpejtë i bankës tregoi se gjithçka ishte e vërtetë dhe se djali i ri duhet të merrte paratë që i takonin. Por pak kohë më pas punonjësit e bankës janë trembur kur kanë parë "fantazmën" e biznesmenit të vdekur, i cili kërkonte paratë që kishte depozituar. Në këtë moment u zbulua mashtrimi me emrin Klejdi Kote që përfshinte një grua të rreme, një punonjës banke të implikuar në çështje dhe katër falsifikatorë dokumentesh.