E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evakuohet shkolla, gjenden bomba turbulluese

 

LEZHE - Pas alarmit të helmimit të nxënësve të shkollës së Gorres në Laç, për pak është shënuar dje i njëjti precedent në një tjetër shkollë në Lezhë. Shkolla e mesme e Ishull Shëngjinit u evakuua, pasi në ambientet e saj u gjetën katër qese me mbishkrimin kinez, e njëjta që ishte përdorur edhe në shkollën e Gorres. Qeset u gjetën në korridor, por për fat të mirë u evidentuan shpejt pa rrezikuar shëndetin e nxënësve. Drejtuesit e shkollës dhanë alarmin, se katër qese me mbishkrim të madh "Fird end" kanë detyruar të pezullojnë mësimin. Frika dhe paniku i përhapur pak ditë më parë në Laç, ku përfunduan në spital 42 nxënëse të shkollës së mesme Gorre, detyroi drejtorin e shkollës në Lezhë të nxirrte jashtë ambienteve nxënësit dhe stafin e mësuesve. Në vendin e ngjarjes mbërriti policia, e cila po heton në lidhje me autorët, që kanë vënë qeset në ambientet e shkollës. "Drejtori i shkollës bashkë me zëvendësin e tij, me të parë të katër qeset e hedhura dhe të hapura në korridore, kanë urdhëruar që nxënësit të dalin jashtë. Një grup ekspertësh të policisë mbërritën në vend dhe bllokuan qeset. Ato po i nënshtrohen analizave nga ana e policisë shkencore, ndërsa po punohet nëse mund të administrohen në to gjurmë gishtash", bëri të ditur policia e Lezhës. Dritaret dhe dyert e kësaj shkolle janë hapur menjëherë, për të larguar ajrin e ndotur. Burime pranë kësaj shkollë bëjnë të ditur, se mësimi do të rinisë të hënën, pasi nxënësit dje ishin në panik dhe nuk mund të zhvillohej normalisht mësimi.           r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›