E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku i çmontimit, ekspertët e Gërdecit në Poliçan

 

POLIÇAN - Pas denoncimit të kryebashkiakut, Adriatik Zotka, për rrezikun që i kanosej qytetit të tij nga municionet, mbërrijnë në Poliçan ekspertë nga Tirana. Burime nga kombinati i armatimeve  bënë të ditur, se tre oficerë të dosjes së Gërdecit dhe specialistë të municioneve mbërritën me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes për inspektimin e situatës. Kjo, pasi kreu i bashkisë Zotka, i bëri thirrje publike qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes për shmangien e një katastrofe në Poliçan. Sipas tij, një sasi e madhe zhive ndodhet në këtë kombinat, pikërisht në zonën "A". Ekspertët kanë paralajmëruar edhe herë të tjera, se nga çmontimi i predhave të kalibrave të ndryshëm mund të krijohen shpërthime si pasojë e kontakteve që mund të ketë. Sasia e madhe e municioneve luftarake ndodhet rreth 100 metra pranë lagjeve të banuara në këtë qytet. Pikërisht rreziku nga çmontimi i predhave si dhe alarmi që lëshoi kryebashkiaku, bëri që dje drejt Poliçanit të niseshin ekspertët. Sipas burimeve, ata kanë qenë tek zona ku ndodhen armatimet dhe kanë mbajtur raportet përkatëse për distancën, rrezikun e ndotjes si dhe sigurinë e njerëzve. Një raport të tillë ata do t'ia dorëzojnë dikasterit përkatës përpara se të jepet një urdhër dhe të veprohet për çmontimin e predhave. Zotka theksoi për mediat të enjten, se ai nuk do ta jepte lejen e demontimit nëse qeveria nuk do të jepte më parë sigurinë për njerëzit, ambientin si dhe pasojat e tjera. Burime nga bashkia bëjnë të ditur, se janë marrë masat për sigurinë e qytetarëve.           d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›