Çoçlli: Partizanit i duhen tre përforcime për të qenë pretendent
Trajneri Nikollin Çoçlli është i kënaqur nga grupi, por për të synuar majën duhen të paktën edhe një portier, një mbrojtës, si dhe një sulmues
Që nga fillimi i javës Partizani është grumbulluar në Durrës ku po kryen përgatitjet e fundit për fillimin e sezonit të ri. Në përgjithësi trajneri i të kuqve, Nikolin Çoçlli është i kënaqur nga gjendja e grupit, por, sipas tij, në këto ditë të mbetura duhen plotësuar edhe disa boshllëqe, në portë, mbrojtje dhe sulm, në mënyrë që Partizani të jetë pretendent real.
Jemi në fazën përmbyllëse të përgatitjeve dhe them se jemi në rrugë e duhur, por gjithsesi kemi nevojë edhe për disa përforcime.Që të jemi pretendentë na duhen të paktën edhe tre përforcime, një portier me eksperiencë, një mbrojtës dhe një sulmues.
Prësa i përket sulmit kemi afruar malazezin Igor Lamburiç, i cili luajti ndaj Luzit. Por është ende herët për të vendosur, pasi sot (dje) nuk mund të shikonim shumë gjëra jo vetëm nga ai, por edhe të tjerët, pasi terreni ishte i papërshtatshëm.
Për sa i përket përforcimeve do të jenë administratorët ata që vendosin dhe shpresoj se ata do të mbërrijnë, në mënyrë që Partizani të jetë gati për misionin superligë që në javën e parë.
Kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga fillimi i kampionatit them se kemi arritur deri tek 90%, por nëse në këto ditë të mbetura plotësojmë boshllëqet e cituara më sipër, them se Partizani do të jetë pretendent i padiskutueshëm,- u shpreh për Sportin shqiptar trajneri i të kuqve të kryeqytetit, Nikolin Çoçlli.
Miqësorja me Luzin Për sa i përket miqësores së sotme jam i kënaqur nga pjesa e parë, ku ndonëse në një terren të vështirë arritëm të tregojmë vlerat. Takimi me Luzin ishte i gjithi në funksion të transfertës së javës së parë me Adën, pasi e dimë se në Velipojë na pret një terren i vështirë. Prandaj zgjodhëm Luzin, në mënyrë që të përshtatemi me terrene të vështira,- përfundon trajneri Çoçlli.
