Dinamo vjen miqësorja e parë në Tiranë, sot kundër Ilirisë
Blutë do të zhvillojnë sot në orën 17:30 testin e radhës në stadiumin Selman Stërmasi, i cili do të jetë edhe i pari i luajtur nga dinamovitët në vendin tonë, pas atyre në Strugë dhe Ohër
Pas miqësoreve të zhvilluara në Maqedoni, gjatë periudhës së qëndrimit në këtë vend, Dinamo sot do të luajë testin e parë në vendin tonë. Gjatë kryerjes së fazës përgatitore në Strugë, blutë në takimet e zhvilluara me skuadrat e vendit fqinj, arriti të koleksionojë 3 fitore dhe 1 barazim, ku niveli i lojës nga të besuarit e trajnerit Zhupa ishte i kënaqshëm.
Por kundër Ilirisë, numri 1 i stolit të dinamovitëve do të ketë mundësinë për të vëzhguar më nga afër paraqitjen e të tijve, përballë një kundërshtari, të cilin do ta ketë rival edhe në Kategorinë e Parë gjatë këtij sezoni.
Ky test do të ketë rëndësinë e vet, pasi do të shihet edhe mënyra e harmonizimit të skuadrës dhe ajo e zbatimit të taktikave, që u është kërkuar futbollistëve nga ana e stafit teknik.
Përgatitjes tekniko-taktike, në seancat e fundit stërvitore i është kushtuar një rëndësi e madhe nga ana e trajnerit të Dinamos dhe futbollistët kanë qenë në formën e duhur për ti zhvilluar ato me saktësinë e kërkuar.
Megjithatë, testi me Ilirinë do të tregojë edhe më qartë përgatitjen e dinamovitëve, ku rezultati përfundimtar i këtij 90minutëshi mund të kalojë në plan të dytë, por jo më pak i rëndësishëm, pasi ai mund të jetë një komponent, i cili do ti japë më tepër besim futbollistëve gjatë takimeve që do të luhen në të ardhmen.
Dinamo e re pritet me interes nga të gjithë sportdashësit e vet, për ta parë në një sfidë edhe pse në kuadrin e një miqësoreje, pasi tifozët janë kuriozë të shohin edhe mënyrën se si do të vendosen në fushë dhe paraqitjen e prurjeve të reja gjatë kësaj merkatoje.
