E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamurtari, aksi Ballsh-Korçë do të tregojë pretendimet

Nga ELTON NIKA

Vlonjatët, në dy transfertat e radhës do të luajnë me Bylisin dhe Skënderbeun, ndeshje që do të tregojnë forcën e vërtetë të ekipit

Fillimisht Bylisi, më pas Apolonia dhe në fund Skënderbeu. Janë këto tri takimet e radhës të Flamurtarit në kampionat, tri takime të quajtura shumë të rëndësishme për ecurinë e ekipit vlonjat. Tashmë me fitoren përballë Teutës, Kupa e Shqipërisë është lënë pas dhe te Flamurtari kanë nisur të mendojnë vetëm për kampionatin. Dhe në fakt për kupë do të luhet sërish, pasi të ketë përfunduar takimi ndaj Skënderbeut, ndaj për stafin teknik të ekipit dhe futbollistët tashmë synohet maksimumi në kampionat.

Nga tri takimet e mësipërme, vetëm një të tillë Flamurtari do të luajë në shtëpi, ndërsa dy të tjerat në transfertë, ndaj Bylisit dhe Skënderbeut. Për këtë qëllim, pikërisht tri takimet e radhës quhen mjaft të rëndësishme, ku veç pikëve maksimale në ndeshjet në stadiumin e vet, nga Flamurtari, për ta quajtur pretendent për këtë sezon, kërkohen edhe pikë jashtë fushe. Ndaj Bylisit dhe Skënderbeut, në dy ndeshjet e radhës jashtë Vlorës, Flamurtari do të gjejë përballë kundërshtarët më të vështirë të mundshëm.

Të paktën sezonin e kaluar kështu ndodhi. Por pikërisht për këtë fakt pretendohet të merren pikë në transfertë. Stafi teknik dhe drejtues të ekipit besojnë se Flamurtari paraqitet disa herë më mirë në fushën e lojës, kur luan përballë ekipeve të cilësuara të vështira, ndaj edhe besohet se në këto transferta nuk do të dilet pa pikë, pse jo, edhe fitore. Në fakt, te ekipi vlonjat është deklaruar disa herë se vetëm në javën e dhjetë mund të shihet nëse Flamurtari do të cilësohet pretendent apo jo dhe kjo vjen menjëherë pas tri takimeve të radhës.

Hysa Duhet të mendojmë për të fituar në takimin e radhës, por kjo nuk duhet të ndikojë tek ekipi. Rezultate pozitive duhet të marrim edhe në transfertë, sepse i kemi mundësitë në Ballsh. Jam i kënaqur me golin dhe fitoren në kupë ndaj Teutës, ku kemi arritur të zhvillojmë një ndeshje shumë të mirë, kemi dominuar ndaj kundërshtarit dhe kjo ka ndodhur në të dy takimet e fundit, me Vllazninë dhe Teutën.

Tashmë duhet të tregojmë vlerat tona edhe në transfertë, në ndeshjen e radhës, ku përballë gjejmë Bylisin. Ditën e hënë do të gjejmë përballë një ekip shumë të mirë. Shihni ndeshjet e fundit, ku Tirana ka fituar me shumë vështirësi në fund, ndërsa me Vllazninë në kupë ka barazuar në transfertë.

Kështu që bëhet fjalë për një ekip shumë cilësor dhe me lojtarë që dinë se çështë superliga dhe natyrisht ndaj nesh do të kërkojnë të arrijnë objektivin që kanë. Flamurtari shkon për të zhvilluar një ndeshje cilësore ndaj Bylisit, duke shpresuar se do të arrijmë rezultatin që kërkojmë. Nuk di çtë them për një vit më parë, flas për momentin dhe në fushë të dy ekipet do të kërkojnë ti rrëmbejnë fitoren njëri-tjetrit, ka deklaruar sulmuesi shtatshkurtër, por mjaft i shpejtë, Vilfor Hysa.

Vlonjatët, pa mungesa ndaj Bylisit

Aktualisht ekipi vlonjat nuk ka asnjë futbollist që mund të mungojë për shkak të kartonëve, ndërsa rikthehen edhe lojtarët e dëmtuar. Beqiri dhe Brahja, të cilët kanë munguar në tri takimet e fundit, tashmë i janë bashkuar grupit në stërvitje dhe trajneri Lutaj mund të shohë me optimizëm  drejt takimit të radhës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›