Rama: Kërkoj më shumë nga vetja
Goleadori fierak ka shënuar një gol me peshë edhe kësaj jave, duke i dhënë fitoren Apolonisë në Kamzë
Apolonia e harron shumë shpejt Laçin dhe arrin një fitore të merituar në një transfertë të vështirë. Bardhejeshilët kanë dalë me tri pikë të arta nga fusha e vështirë e Kamzës, duke bërë një hap të rëndësishëm në javën IV të superligës. Fierakët kanë ditur ta menaxhojnë mirë ndeshjen dhe kanë treguar karakter, duke dëshmuar një ndryshim rrënjësor, krahasuar me transfertën e parë të luajtur kundër Shkumbinit në këtë kampionat.
Fitorja e Apolonisë ka qenë rezultati më i papritur i kësaj jave në superligë, pasi pakkush mund të kishte menduar se Apolonia mund të merrte më tepër se një pikë. Po, fierakët e kishin përgatitur mirë takimin, duke e befasuar edhe ish-trajnerin e tyre, Gjokën, i cili nuk ka mundur të hakmerret ndaj bardhejeshilëve në krye të pankinës së kamzalinjve. Meto dhe Gërxho kanë qenë gjithmonë inspiruesit kryesorë të sulmit të Apolonisë, duke pasur si pikë reference talentin Renaldo Rama, i cili është konfirmuar tanimë si goditja më e mirë e Apolonisë gjatë merkatos verore.
Rama Ndonëse ai luan për herë të parë me fanellën e Apolonisë, 21-vjeçari është ambientuar shumë shpejt në skuadër dhe tashmë ai po e udhëheq në rrugën e rezultateve pozitive, përmes golave të tij. Në çdo takim që ka shënuar Apolonia, nuk ka munguar goli i tij, pra ka 4 gola, të përkthyer në pikë.
Jam i gëzuar. Ndihem kështu, sepse Apolonia po rritet nga ndeshja në ndeshje dhe nuk po mungojnë as rezultatet. Jam përshtatur shpejt me grupin dhe me këtë skuadër. Me Kamzën kemi bërë një ndeshje të mirë dhe unë kam finalizuar përpjekjet dhe mundin e gjithë shokëve. Golat e mi? Nuk i shoh të shkëputura dhe aspak individualisht, pasi janë pjesë e lojës kolektive.
Unë jam optimist se me Apoloninë do të bëjmë gjëra të bukura këtë kampionat. Janë vetëm javët e para dhe, mos ma merrni për mungesë modestie, por kërkoj më shumë nga vetja, – ka thënë midis të tjerave golashënuesi i Apolonisë, Renaldo Rama.
