E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bashkë" për mbrojtjen e bankave

Ligji synon të mbrojë bankat shqiptare nga risku që vjen nga bankat mëma që janë të ekspozuara nga kriza. Megjithatë, opozita ka shprehur kundërshtitë e saj, ndaj ministri i Financa, Ridvan Bode, ka dhënë argumente për qëndrueshmërinë e sistemit bankar në vendin tonë në kohën e krizës globale financiare.

“Ky ligj reflekton nevojën për të bërë mbikëqyrjen e këtyre tregjeve kaq sensibël për ekonominë. Krijon nismën dhe reflekton nevojën për rritjen e kompetencave mbikëqyrëse dhe marrjen e masave të duhura në raport me bankat nga ana e BSH-së", theksoi Bode. 

Ndër ndryshimet kryesore, ministri Bode veçoi disa përmirësime që kanë të bëjnë me paranë elektronike, me format e parasë dhe me të drejtën që përdorimin e parasë elektronike mos ta kenë vetëm bankat, por edhe shërbimet e tjera të ofruara nga sistemi financiar bankar.  Minstri Bode komentoi edhe raportin më të fundit të Bankës Botërore. Sipas tij, në këtë raport bëhet e ditur se sistemi bankar në Shqipëri është më stabili.

Në emër të opozitës, foli deputetja Mimi Kodheli, e cila theksoi se Banka e Shqipërisë mund të kishte vepruar shumë kohë më përpara me iniciativë dhe me kompetencat që i jep ligji ekzistues, si duke rritur minimumin e kapitalit nga 1 miliard lekë në 1.5 miliard lekë, duke ju dhënë kohë të arsyeshme bankave për këtë veprim.

“Problemet financiare me të cilat përballen vendet fqinje, bëjnë që sistemi ynë bankar të jetë i ekspozuar ndaj riskut të problemeve të “importuara”. Degët e bankave të huaja funksionojnë të lidhura ngushtë me mëmat e tyre për menaxhimin e fondeve dhe ky është direkt një faktor ekspozimi ndaj riskut. Me miratimin e këtij ligji, BSH duhet me urgjencë të ketë gati aktet-nënligjore për të vepruar me qëllim parandalimin apo administrimin e menjëhershëm të riskut”, tha ajo.  

Deputetja Kodheli tha gjithashtu se ligji në fjalë ka marrë elementët e “urgjencës”, duke u nisur nga kriza, por nuk ka marrë mundimin të rregullojnë edhe ato elemente që duhen përmirësuar nga ligji ekzistues, për një përafrim të plotë me legjislacionin e BE-së.

“Nuk kanë marrë mundimin as ta përputhin këtë projektligj me vetë ligjin organik të “Shoqërive Tregtare”, me të cilin me rezulton se ka mospërputhje. Në lidhje me paranë elektronike dhe emetimin e saj, ne jemi shprehur skeptike nëse kjo e drejtë u duhet dhënë dhe subjekteve të tjera jo banka. Kjo nuk i referohet një direktive të BE-së dhe nuk ka asnjë urgjencë, ndërkohë që për veçoritë e vendit dhe pasiguritë e një përdorimi spekulativ të kësaj të drejte nga subjekte të pandërgjegjshme, mund të jetë dhe aktivitet i parakohshëm, deri në plotësimin e disa kushteve minimale garancie për veprimtari të kujdesshme. Për pagesat elektronike në vend ka mungesa jo te pakta si tek infrastruktura e nevojshme, garancitë, aktet rregullative bashkëkohore”, tha ajo. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-11-17 15:03
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›