E Diel, 1 Nëntor 2026

"Cirku në rrugë", artistët evropianë akrobaci në Vlorë

Cirku në rrugë" hap siparin e aktiviteteve të planifikuara që do të zhvillohen në Vlorë në hapjen e  sezonit turistik, ku pritet një larmishmëri veprimtarish, si "Festivali Ndërkombëtar "Aulon Folk International Festival", gara e fluturimeve sportive "Albania open", parada të kostumeve, panaire të gatimeve të traditës, etj. Publiku në qytetin e Vlorës do të ndjekë një spektakël me artistët më të mirë të cirkut nga Spanja, Italia e Bullgaria. Spektakli "Cirku në rrugë" me artistë nga vende të ndryshme të Evropës, i cili do t'i paraprijë çeljes së sezonit turistik 2009 do të zhvillohet në mbrëmje në lagjen Skelë në Vlorë. Drejtori i Drejtorisë së Koordinim Zhvillimit dhe Turizmit në Bashkinë e Vlorës, Ilir Metaj bën të ditur se "Cirku në rrugë" është një risi për qytetin dhe aktivitetet e planifikuara në çelje të sezonit turistik. Artistët e huaj të cirkut të rrugës do të japin një shfaqje që krijon atmosferë festive në mjedisin ku do të zhvillohet. Pjesë e spektaklit do të jenë numra shpejtësie e vështirësie, lojëra me kafshë e elementë të xhonglimesh, që, në dallim nga cirku në salla të mbyllura, vendosin një raport të veçantë mes protagonistëve dhe qytetarëve. E kthyer prej vitesh në traditë në Spanjë, Itali, etj, tashmë ky lloj cirku vjen edhe për banorët e Vlorës, ku përgatitjet për çeljen zyrtare të sezonit turistik janë në fazën përfundimtare. Dita e çeljes së sezonit turistik është një nga ngjarjet më të shënuara në Vlorë për shkak te impaktit që ka turizmi në jetën ekonomike e sociale lokale. Vjet në bregdetin e Vlorës, pushuan më shumë se 270 mijë persona, vendas e të huaj, ndërsa për këtë sezon, ky numër pritet të jetë edhe më i lartë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›